Të hiqen barrierat mes dy doganave,angazhimi nga Spiropali dhe Rafuna në Prishtinë
Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, gjatë një takimi me homologun e saj kosovar Lulzim Rafuna, deklaroi se barrierat mes dy vendeve duhet të vinë duke u shuar dhe kufiri të mos shërbejë si një pengesë, por si një urë lidhëse mes dyja vendeve.Spiropali është shprehur se janë të përkushtuar të dy administratat doganore që të kalohet, nga një kufi real në një kufi virtual midis të dy vendeve, sidomos në pikën e Morinës. Kjo do të bëhet, sipas Spiropalit, për t’i treguar botës dhe Bashkimit Evropian që Shqipëria dhe Kosova kanë gatishmërinë për të punuar në zhvillimin e të dyja vendeve, dhe për t’i shpallur luftë fenomeneve negative.“Është shumë e rëndësishme që në t’i dëshmojmë Bashkimit Evropian, por edhe botës se shqiptarët kudo që jetojnë, nga Mitrovica në Konispol, nga Kumanova në Durrës, kanë gatishmërinë që luftën ndaj kontrabandës, luftën ndaj korrupsionit, luftën ndaj hajnisë dhe korrupsionit, i cili është shumë prezentë në këto vende, ta bëjmë me dedikim të plotë, duke i bashkuar të dyja forcat operative të dy administratave doganore dhe për të treguar se shqiptarët kudo ku janë dhe shtetet përkatëse kanë të gjithë vendosmërinë për të treguar që shqiptarët mund të jetojnë përmes punës tyre të ndershme dhe biznesit tyre të prosperojë të begatojë në këto dy vende duke i shpallur luftë fenomeneve negative për të cilat shpeshherë edhe përmenden në raportet ndërkombëtare”, është shprehur Spiropali.Lulzim Rafuna, Drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, ka thënë se janë pajtuar të krijojnë grupe të përbashkëta për të parë se ku mund të thjeshtësohen procedura, ku mund të eliminohen procedura në mënyrë që të ndihmohen bizneset dhe qytetarët të qarkullojnë sa më lirshëm.“Kjo do të na mundësojë që ne si administratë doganore, me ekspertizën tonë, t’i paraprijmë për me ndalë individ ose grupe të caktume, që ato të dërgojnë mesazhe të gabume te qeveritë tona. Ne në kohë reale do t’i informojmë qeveritë tona dhe nuk do të lejojmë që të ndodhen, së paku brenda kompetencave tona deformimet që kanë ndodhur në të kaluarën. Jem të dedikum t’i ndihmojmë biznesit të ndershëm, jem të dedikum të mbrojmë biznesin e ndershëm dhe do të jemi të pakompromis ndaj bizneseve ose grupeve të caktuara”, ka thënë Lulzim Rafuna.