Valiasi kthehet në Venecia, uji nxjerr nga banesat qindra familje
Zona e Kamzës është një nga më të prekurat nga përbytjet e natës së martë. Ky është Valiasi i Vjetër, i cili është në pushtetin e ujit që nga nata e mbrëmshme. Uji ka mbërritur deri në dy metra dhe 300 banesa janë përmbytur nga shirat e rrëmbyeshëm të natës së mbrëmshme.Dëmet materiale kanë qënë të shumta, por ajo që shqetëson më shumë këta banorë është se ku do kalojnë natën, pasi shtëpitë janë të pabanueshme. Ata janë detyruar të gdhijnë natën në soleta dhe katet e dyta të shtëpive me sytë nga qielli që reshjet të pushojnë.Banorët janë tepër të revoltuar për situatën dhe fajësojnë pushtetin vendor dhe qëndror që për vite i kanë premtuar zgjidhje. Ata shprehen se përmbyten rreth 10 herë në vit dhe kërkojnë që situata të ndryshojë, ndryshe do të marrin masa deri në bllokimin e rrugëve.Kjo gjendje në Valiasin e Vjetër është pasojë e bllokimit dhe mospastrimit të kanaleve kulluese, shtuar këtu edhe mungesa e hidrovorit. Në zonë është parë edhe një mjet i ushtrisë me disa forca krahu,por as kjo nuk e ndryshoi situatën, sepse zgjidhja e veteme do të ishte pastrimi i rrjetit të kanaleve kulluese.