Gjirokastër, përgjaket festa, burri bën “kurban” gruan dhe veten
Një krim i dyfishtë brenda familjes ka tronditur qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe ka përgjakur edhe festën e Kurban Bajramit. 57-vjeçari Nexhmedin Mustafaraj ka debatuar ashpër me bashkëshorten e tij Zenelbien në sallonin e banesës së tyre dhe më pas e ka tërhequr atë në dhomën e gjumit, ku debati ka vijuar dhe më pas është dëgjuar e shtëna e pistoletës që e ka lënë pa jetë 49-vjeçaren.
Në banesë në momentin e konfliktit dhe të krimit ka qenë edhe vajza 25-vjeçare e çiftit me profesion juriste. Mirëpo ajo nuk ka pasur asnjë mundësi të ndërhyjë në konflikt për të shmangur këtë tragjedi, pasi 57-vjeçari kishte mbyllur me çelës dhomën e gjumit.
Brenda pak sekondash, vajza 25-vjeçare, siç ka rrëfyer edhe vetë në polici ka dëgjuar një tjetër të shtënë arme. Në këtë mënyrë Nexhmedin Mustafaraj i ka dhënë fund jetës së bashkëshortes, e më pas ka qëlluar edhe veten.
E alarmuar nga të shtënat vajza ka njoftuar fqinjët e saj dhe policinë. Efektivët e policisë kanë hapur me forcë derën, ndërsa skena tragjike ka tronditur vajzën e çiftit Mustafaraj.Fqinjë të familjes Mustafaraj në lagjen “18 shtatori” në Gjirokastër kanë deklaruar se çifti nuk njihej për situata problematike dhe se nuk kishin vënë re as konflikte për motive xhelozie apo ekonomike.Autori i këtij krimi, Nexhmedin Mustafaraj, punonte në zyrën e taksave në bashkinë e Gjirokastrës, ndërsa njihet edhe si këngëtar i një grupi polifonik, madje si mjeshtër i këngës labe pasi prej 10 vitesh drejtonte grupin polifonik "Kurora labe". Policia ka marrë në pyetje vajzën e çifit si dhe fqinjë të tyre për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie të rëndë familjare.