Ekonomia, FMN: Ndërhyrje emergjente nga qeveria për përmirësimin e situatës

Gjatë qëndrimit në Washington DC për takimet e përvitshme të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, delegacioni shqiptar i përbërë nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, kanë patur një takim të nivelit të lartë me Zv. Drejtoren e Përgjithshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Nemat Shafik.Gjatë takimit, Shafik ka shprehur shqetësimin për gjëndjen aktuale të financave publike në Shqipëri si edhe per borxhin. Sipas saj qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë dhe në mënyrë të vendosur për të ndryshuar gjëndjen aktuale në favor të Shqipërisë. Zonja Shafik ka shprehur interesin e FMN për t'iu përgjigjur sa më parë cdo kërkese të qeverisë shqiptare për të adresuar problematikat e krizës.Nga ana e tij Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ,Arben Ahmetaj dhe Ministri i Financave , Shkëlqim Cani kanë treguar për paketën e masave që synon të marrë në mënyrë të menjëhershme qeveria Rama. Kjo paketë masash e cila është përgatitur edhe me ndihmen e FMN dhe Bankës Botërore, si edhe pas konsultimeve me grupet e interesit, synon të zgjidhë problemet më imediate ekonomike dhe të financave publike.Sipas Ministrit Ahmetaj, me të gjithë hapat që do të merren më anë të buxhetit të vitit të ardhshëm synohet të arrihet reduktimi i borxhit publik nga 72% në nivelet pranë kufirit 60% deri në vitin 2018, duke kthyer ritmet e larta të rritjes ekonomike.Ministri Ahmetaj theksoi gjithashtu se qeveria është e gatshme të zgjidhë disa nga problemet më afatgjata të ekonomisë shqiptare, duke ndryshuar në thelb modelin ekonomik të vendit, nga një model rritjeje bazuar tek borxhi, në një model rritjeje bazuar mbi prodhimin lokal dhe investimet nga sektori privat. FMN ka theksuar mbështetjen për nismat e qeverisë dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar për ta nxjerrë Shqiperinë nga kjo gjëndje.