Klik Ekspo Group, medalje për njeriun e Shqiponjës së Kombëtares
Federata Shqiptare e Futbollit dhe Klik Ekspo Grup kanë dekoruar sot Juan Bernabe me “Medaljen Shqiponja e Artë”. Kjo medalje i është dhënë nga Presidenti i Klik Ekspo Grup, Luan Muhametaj me motivacionin:“Mirënjohje për besimin tek Shqipëria, përmes lartësimit të simbolit të shqiptarisë në evenimente me jehonë ndërkombëtare.Mirënjohje për mbështetjen e nismës që, fluturimi i Shqiponjës nisur në “Arenën e Kombëtares” sonë të vijojë në manifestime të rëndësishme si Panairi Ndërkombëtar i Klik Ekspo Grup, simbol i ndërkombëtarizimit dhe ngritjes në kult të vlerave të shqiptarisë. Mirënjohje që madhështia e simbolit që ju lartësoni do të njehsohet me “Shqiponjën e Adriatikut”, projektin që urojmë të vërë në jetë Veprën Madhore të Europortit të Shëngjinit”.
Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi i FSHF-së, Lirim Zalla falenderoi z. Bernabe për sjelljen e Shqiponjës në Shqipëri dhe fluturimin e saj në ndeshjen e Kombëtares.Ndërkaq, nga ana e tij Presidenti i Klik Ekspo Grup, Z. Muhametaj vlerësoi kontributin e Juan Bernabe në rritjen dhe stërvitijen e shqiponjave, të cilat kanë emocionuar stadiume në të gjithë anët e botës. Me këtë rast, z. Muhametaj prezantoi dhe idenë e hapjes së Pananir të përvitshëm të Klik Ekspo Group më 23 Nëntor, me fluturimin e shqiponjave.Në fjalën e tij përshëndetëse Juan Bernabe falenderoi Klik Ekspo Grup dhe FSHF për Medaljen Shqiponja e Artë, e cila për të simbolizon gjithë frytin e punës së tij. Ai shprehu dhe një herë emocionin e madh që ka përjetuar gjatë qëndrimit në tokën e shqiponjave, gjë kjo e cila, sipas tij, i jep akoma më shumë shtysë për të vazhduar stërvitjen e këtij shpendi, i cili është simbol i Shqipërisë.