Meta takim me Avokaten e Popullit të Polonisë Irena Lipowicz
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta është takuar sot me Avokaten e Popullit të Polonisë Irena Lipowicz. Të pranishëm në takim ishin edhe Avokati i Popullit të Shqipërisë Igli Totozani dhe Ambasadori i Polonisë në Shqipëri Marek Jeziorski.Kryeparlamentari Meta i uroi mirëseardhjen në Shqipëri znj. Lipozicz dhe nënvizoi se marrëdhëniet mes institucioneve respektive të Avokatit të Popullit janë shumë të rëndësishme, veçanërisht mes dy vendeve si Shqipëria dhe Polonia që ndajnë një të kaluar të përbashkët historike.Avokatja e Popullit të Polonisë Lipowicz u shpreh se roli i Kuvendit në Shqipëri është i rëndësishëm jo vetëm për procesin e integrimit evropian, por në veçanti për mirëfunksionimin e institucionit të Avokatit të Popullit, duke konfirmuar njëkohësisht mbështetjen e plotë të institucionit homolog polak përmes shkëmbimit të praktikave dhe eksperiencës.Kryetari i Kuvendit Meta shprehu bindjen se “sa më i suksesshëm të jetë Avokati i Popullit, aq më të larta do të jenë standardet demokratike të shoqërisë dhe administratës shqiptare, dhe në këtë kuadër, mbështetja e Kuvendit ndaj këtij institucioni do të jepet pa hezitim”.