Gjosha: Roli i gruas, kyç ne integrimin e shoqërisë e vendit

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, ishte e pranishme ne pritjen e mbajtur nga organizatat që punojnë për çështjet e barazisë gjinore në vendin tonë. Ajo shprehu angazhimin e saj, për të zgjeruar më tej bashkëpunimin me shoqërinë civile, në rritjen e përfshirjen e rolit të gruas në shoqëri.“E pranova me kënaqësi këtë ftesë, pasi më herët puna për mbrojtjen e të drejtave të grave ka zënë një pjesë të madhe të angazhimeve të mija. Si zv. ministre e Punës kam bërë përpjekje maksimale për fuqizimin e rolit të gruas në vendin tonë. Sot në pozicionin e Ministres së Integrimit, ju falënderoj për angazhimin e gjithë këtyre viteve që ju keni patur në mbrojtje të grave, si dhe shpreh vullnetin tim maksimal për ta zgjeruar më tej bashkëpunimin me shoqërinë civile”, tha Gjosha.Ministrja në fjalën e saj, theksoi se femrat shqiptare kanë sot, përgjegjësinë, intelektin, energjinë dhe dëshirën për të qenë te barabarta me burrat si dhe për të mbajtur pozicione drejtuese. Ajo vlerësoi përpjekjet e bëra në fushën e legjislacionit, për rritjen e përqindjes së grave të vajzave në nivel të lartë të qeverisjes së vendit.“Sot kemi 6 Ministre femra. Është një hap për t’u vlerësuar. Por nuk janë vetëm ato. Janë me dhjetra gra të tjera që mbajnë pozicione drejtuese të një niveli të lartë. Përqindja e grave në parlament ka shënuar rritje të vazhdueshme. Më duhet të theksoj se qeveria e ka prioritet forcimin e rolit të gruas dhe se Ministria e Integrimit i ka dyert e hapura për të dhënë mbështetje maksimale për ju si shoqëri civile në mënyrë që Integrimi në Bashkimin Evropian të bëhet bashkë me gratë, ashtu sikurse nuk realizohet dot pa to”, tha Ministrja Gjosha.