Naço pret Lipowicz, diskutohet mbi rëndësinë e të drejtave të njeriut
Ministri i Drejtësisë priti sot Irena Lipowicz, Ombudsman i Polonisë, shoqëruar nga Ambasadori Polak, z. Marek Jeziorski, si dhe të tjerë përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit shqiptar dhe atij polak.Pasi e njohu Ministrin e Drejtësisë me punën e bërë deri më sot në fushën e të drejtave të njeriut, znj. Lipowicz u shpreh se ka mjaft rëndësi bashkëpunimi midis dy institucioneve respektive.“Edhe më parë ne kemi dhënë rekomandimet tona në fushën e drejtësisë dhe ato i konsiderojmë të rëndësishme, pasi shkojnë deri në nivelin më të lartë të një shteti dhe reflektohen në vendim- marrje. Perspektiva jonë për të drejtat e njeriut na bën shpesh që të përplasemi me perspektivën shtetërore të zbatimit të politikave të caktuara. Në Poloni, ministria homologe quhet Ministria e Drejtësisë dhe e të Drejtave të Njeriut, duke theksuar në këtë mënyrë rëndësinë e tyre. Ajo që ne bëjmë, gjithashtu, është edhe dhënia e ndihmës sonë përmes trajnimit të gjyqtarëve mbi të drejtat e njeriut.”- u shpreh Ombudsman i Polonisë.Nga ana e tij, Ministri u shpreh se është e nevojshme ekzistenca e një institucioni si Avokati i Popullit, që të jetë objektiv dhe i ftohtë.“Që nga koha kur u themelua, Avokati i Popullit në Shqipëri ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe është mirë që të ekzistojnë institucione objektive dhe të ftohta në qëndrimet e tyre. Ligjet tona janë përafruar me kërkesat e BE dhe prandaj, janë shumë të mira. Mbetet vetëm të zbatohen. Ne aktualisht, po ndërmarrim disa reformave, mes të cilave edhe reformën në sistemin e burgjeve, duke parë mundësinë e hapjes së burgjeve private,për tu krijuar kushte më të mira të dënuarve. Gjithashtu, në praktikën e përditshme ka probleme me avokatët, të cilët shtyjnë proçeset gjyqësore, duke mos u paraqitur në gjyq qëllimisht. Ne do të marrim masa që kjo të mos ndodhë, prandaj në procedimet ndaj avokatëve do të kërkojmë edhe asistencën e Avokatit të Popullit.”- theksoi Ministri Naço.Lipowicz u shpreh e kënaqur përsa parashtroi Ministri i Drejtësisë mbi synimet e ardhshme dhe e siguroi atë se Ambasadori i Polonisë në Tiranë, z. Marek Jeziorski, do të asistojë në momentet kur do të jetë e nevojshme.“Ju padyshim e njihni z. Jeziorski, pasi ai është mjaft popullor në Shqipëri. Edhe më parë ambasadori ka kontribuar në çështje të ndërmarra nga Avokati i Popullit në Tiranë, prandaj është i informuar mbi situatën dhe do të ofrojë ndihmën e tij kurdo që të jetë e nevojshme.”- tha Ombudsman Lipowicz.Në fund të takimit mjaft miqësor, ajo i dhuroi Ministrit Naço një kopje të Kushtetutës së Parë të Polonisë, një simbol i shtetit të saj. Ministri e falenderoi për dhuratën e veçantë dhe e siguroi edhe njëhërë për mbarëvajtjen e bashkëpunimit me institucionin e Avokatit të Popullit.