“Fundi i Marrëzisë” në 12 qarqe, 6 mijë policë i vënë “drynin” bixhozit

Ora 17:00. 6 mijë forca policore në të gjithë vendin kanë lënë komisariatet për tu drejtuar në një superoperacion që në fokus kishte lojrat e fatit. Për më pak se 2 orë shteti i ka vënë dryrin bixhozit në Shqipëri, duke i dhënë fund një prej bizneseve më gërryese të shoqërisë. 

Forcat e policisë në këtë operacion janë mbështetur edhe nga inspektorët e tatimeve dhe institucioni që mbikqyr lojrat e fatit. Sipas të dhënave në 12 qarqet e vendit ku operacioni ka qënë i njëkoshëm dhe i befasishëm janë bllokuar mbi 1 mijë biznese në këtë fushë, duke u kyçur menjëherë.

Ministri Tahiri ka inspektuar operacionin nga afër, duke deklaruar se kjo ndërmarrje do ti japë fund këtij biznesi në rastet që ai është i paligjshëm.

“Qeveria në programin e saj, ka premtuar mbylljen e lojërave të paligjshme të fatit. Unë jam mjaft krenar që ne sot realizuam  këtë aksion, me të gjitha forcat e policisë në dispozicion, me 6 mijë forca policie në çdo cep të Republikës së Shqipërisë, me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe me Drejtorinë e Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave. Është një aksion që, sigurisht, nga njëra anën na tregoi forcën e Policisë së Shtetit dhe vullnetin e saj, por nga ana tjetër edhe pikat e dobëta dhe për këtë ne jemi ende duke punuar. Ky është vetëm fillimi i operacionit. Pra për evidentimin dhe mënjanimin e shfaqjes më sipërfaqësore të paligjshmërisë në lidhje me këtë biznes. Pas kësaj Policia e Shtetit do të fillojë një hetim më të thelluar lidhur me njerëzit që e kanë organizuar, që e kanë favorizuar dhe lejuar këtë biznes të paligjshëm, në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të them më shumë detaje lidhur me këtë, pasi ka të bëjë menjë operacion policor në vazhdim. Jemi të fokusuar në zgjidhjen një herë e mirë të këtij problemi. Ende nuk kam të dhëna sesa mund të jetë evazioni fiskal,sepse kërkon një shqyrtim më të hollësishëm dhe analiza financiare, të cilat nuk jemi në gjendje ti bëjmë tani ”tha Ministri Tahiri.

 Këto janë pamjet në disa rrethe të vendit ndërkohë që pritet që krehje të tilla policore të vijojnë gjatë gjithë javës në të gjithë territorin e vendit.   

Ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka lajmëruar shkarkimin nga detyra të kreut të Antikontrabandës Denion Meidani, djalit të ish-presidentit Rexhep Meidani për denkonspirim të aksionit të nisur tek KURUM.

Sharkimi është bërë me urdhër të drejtoreshës Spiropali për nxjerrje të informacioneve konfidenciale. Meidani ishte emëruar si kreu i Antikontrabandës 2 muaj para zgjedhjeve.