Rama në “FacebooK”: Kushte në qeveri, kushte në opozitë! Dialog me kushte s'ka!

“Kushte kur ishin në qeveri kushte edhe tani në opozitë! S'kanë kuptuar ende pas 20 vjetësh se dialog me kushte s'ka! Prandaj quhet dialog.”Ky është reagimi i Kryeministrit Edi Rama në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, në lidhje me përgjigjen që kreu i PD-së Lulzim Basha, i ka dhënë sot ftesës për dialog që Edi Rama në emër të mazhorancës u bëri partive opozitare lidhur me aktin normativ për statusin e Nëpunësit Civil.“Shumica parlamentare dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë vetëm një synim: ta bëjnë të zbatueshëm ligjin në fjalë që jo vetëm sipas nesh, por edhe sipas asistencës teknike evropiane, është i pazbatueshëm në mungesë të akteve nënligjore të domosdoshme. Ne kemi zgjedhur rrugën e aktit normativ, si atë më të përshtatshmen. Nga e zgjidh më mirë problemin e krijuar nga mungesa e akteve nënligjore ana Juaj, s’kemi arritur të dëgjojmë ende asnjë alternativë tjetër që, por jemi të hapur t’ju dëgjojmë deri në fund për një zgjidhje përtej konsensusit kushtetues.”- shkruan Rama në letrën e tij.Kreu i selisë blu, Lulzim Basha, i ka kthyer përgjigje kësaj lëtre duke u shprehur se opozita është gati të dialogojë në çdo kohë por në fillim, duhet të tërhiqet akti normativ nga Kuvendi dhe të futet ligji në zbatim.Në emër të opozitës, Basha i bën të ditur Ramës se nuk do të japë konsensus nëse nuk tërhiqet nga Kuvendi akti normativ për statusin e Nëpunësit Civil. Basha tha se gjatë këtyre orëve ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me krerët e partive opozitare.“Opozita, PD dhe unë si Kryetar jemi dhe kemi qenë të hapur për dialog, bashkëpunim, dhe gjithëpërfshirje. Në këtë kuptim nuk ngurojmë të përgjigjemi pozitivisht për çdo takim. Ky është standardi i Lulzim Bashës, opozitës dhe PD-së. Në rastin në fjalë është e rëndësishme të kuptohet se çfarë kërkohet, kërkohet konsensus për të prishu konsensusin e arritur më herët, e papranueshme. Ka ndodhur një akt i rëndë dhe i paprecedentë, është arritur konsensusi, dhe katër orë para se të hynte në fuqi ligji, është anuluar në mënyrën më arbitrare. Përgjigja e vetme e e opozitës së unifikuar është : tërhiq aktin normativ dhe opozita është, ka qenë dhe do të jetë e gatshme të dialogojë për interesat e vendit.”- tha Basha.