Rama prezanton prefektin e Vlorës, kërkon bashkëpunim me institucionet
Kryeministri Rama ka prezantuar sot në Vlorë, prefektin e ri Besnik Dervishi, i emëruar vetëm tre ditë më parë nga Qeveria. Kryeministri gjatë fjalës së tij shprehu bindjen se ka firmosur njeriun e duhur në krye të institucionit, ndërsa garantoi se Prefektura do të mbështesë zbatimin e ligjit.
“Kënaqësi që jam këtu bashkë me ju për të përshëndetur Prefektin e ri të Vlorës, për t’i uruar Besnik Dervishit sukses, vullnet të mirë, përkushtim të plotë dhe sa më shumë frymë bashkëpunimi me qytetarët e Vlorës pa dallim, me pushtetin vendor në Vlorë, me strukturat e tjera të shtetit dhe institucionet përgjegjëse në funksion të asaj Vlore për të cilën qytetarët votuan në 23 qershor dhe të cilën ua kemi borxh fëmijëve të këtij qyteti.Unë jam i bindur që prefekti i ri është në lartësinë e detyrës. Ka një eksperiencë jo të vogël si administrator. Ka një eksperiencë të konsiderueshme si përfaqësues i popullit të Vlorë në Kuvendin e Shqipërisë. Ka edhe një eksperiencë për të mos u nënvlerësuar, si vlonjat.
Kështu që për të gjitha këto arsye besoj se zgjedhja e bërë nga ministri i Brendshëm është zgjedhja e duhur. Njëkohësisht jam i bindur se duke firmosur për prefektin e ri të Vlorës, unë si kryeministër kam firmosur për njeriun e duhur në krye të këtij institucioni të rëndësishëm.
Edhe njëherë tjetër duke e mbyllur i uroj sukses prefektit të ri. Jam i bindur se me mbështetjen tuaj dhe me harmoni të plotë me interesat e qytetit, me interesat e qytetarëve edhe prefektura do të kthehet në një institucion që në frymën e Kushtetutës dhe në zbatimin rigoroz të ligjit do të mbështesë zhvillimin e qytetit, do të mbështesë progresin shoqëror në qytet, do të mbështesë çdokënd në nevojë për mbështetje në këtë qytet!”tha Rama.Gjatë qëndrimit të tij në Vlorë, kryeministri Rama shoqërohet nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.Më herët ai u takua dhe me koordinatorët e zgjedhur të zyrës së tij të deputetit në Vlorë, ku është njohur me shqetësimet e qytetarëve të Vlorës të paraqitura deri më tani pranë kësaj zyre.
“Kjo zyrë nuk do t’i mbivendoset asnjë institucioni, nuk do të jetë zyra që do të kërkojë llogari nga asnjë institucion,” është shprehur Edi Rama.
Tashmë zyra e deputetit Edi Rama ka kohë që funksionon dhe ankesat e qytetarëve që i drejtohen stafit janë të shumta. Problemet janë të ndryshme dhe porosia e deputetit të Vlorës Edi Rama, njëherësh Kryeministër i vendit, ka qenë për përkushtim dhe ndjekje të çdo problemi që vlonjatët do paraqesin në këtë zyrë:“Zyra mbledh informacion, orienton qytetarët dhe ndjek bashkë me qytetarët fatin e çdo përpjekjeje, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për padrejtësi. Le të ndiqet çdo çështje me përkushtim duke i orientuar drejt zgjidhjeve përkatëse, por dhe duke i kërkuar që të mbeten në kontakt me zyrën për të thënë se si shkoi më tutje çështja në mënyrë që të jemi plotësisht të informuar për sjelljen e institucioneve ndaj njerëzve, për sjelljen e drejtuesve të institucioneve ndaj njerëzve, për gatishmërinë e institucioneve për të vënë në vend padrejtësira të krijuara gjithë këto vite, por edhe të jemi shumë të kujdesshëm që mos të ketë padrejtësi të reja dhe të mos bëhen padrejtësi të së njëjtës natyrë, por në krahun tjetër”, tha Rama.