Panairi që ofron 2500 vende pune, mundësi punësimi për të rinjtë e studentët
Në ditën e dytë të hapjes, Panairi "Work & Study", ka pasur një numër të lartë të vizitorësh dhe shumë interes nga të rinjtë dhe studentët.Në këtë panair kanë ngritur stendat e tyre rreth 40 kompani nga bota e biznesit. Të gjithë ata të rinj që janë të interesuar për një vend pune, mund të shfrytëzojnë një shans të ri që u jepet në këtë panair ku ofrohen rreth 2 mijë e 500 vende pune. Sipas të dhënave paraprake shumë persona kanë dorëzuar civitë e tyre pranë biznesve të cilat në fund të këtij panairi do të përzgjedhin edhe fituesit.Edicioni i katërt i eventit "Work & Study" shërben si një moment, ku takohen së bashku kërkesa me ofertën e tregut, e ku marrin pjesë kompanitë më të mëdha në vend. Duke përmendur faktin se vendi ynë tashmë po kalon mjaft vështirësi përsa i përket gjetjes së një vendi pune, ky panair është një mundësi shumë e mirë për të gjithë ata persona të cilët janë të kualifikuar në sektorë të ndryshëm dhe nuk kanë pasur mundësi që të kontaktojnë me kompani të ndryshme.Panairi është hapur në Pallatin e Kongreseve dhe është një nismë e përbashkët mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si dhe me atë të Mirëqënies Sociale dhe të Arsimit, si edhe me Bashkinë e Tiranës.Panairi “Work and Study” zgjat tre ditë, në datat 11,12 dhe 13 tetor, në këtë mënyrë të gjithë të interesuarit për të aplikuar për punë në kompanitë që kanë ngritur stendat në këtë panair, të nxitojnë të dorëzojnë cv me të dhënat personale pasi mund të sigurojnë një punë.