Nis ndërtimi i kopshtit nr. 21, Basha: Mbajmë premtimin për shërbime më të mira për komunitetin
Me një investim prej 39 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e kopshtit numër 21, në njësinë bashkiake numër 11. Prej vitesh, ky kopsht ishte kthyer në një shqetësim të madh, pasi për shkak të amortizimit rrezikonte shembjen.Kopshti nr.21 ishte një godinë një katëshe, me mure tulle, me tavan me kallama, ndërtuar në vitin 1955. Godina e amortizuar tërësisht, prej disa vitesh kishte shfaqur probleme çedimesh në themele, gjë që reflektohet në çarjen e disa mureve. Pavarësisht gjendjes alarmante, jo vetëm që për vite të tëra nuk u ndërhy por nuk ishte përgatitur as edhe një projekt.Bashkia e Tiranës hartoi projektin dhe përfundoi brenda një kohe të shkurtër, të gjitha procedurat ligjore, për t’i hapur rrugë nisjes sot, ndërtimit të këtij kopshti. Në nisjen e punimeve, kryebashkiaku Lulzim Basha theksoi se në përfundim të tyre, ky kopsht do t’u ofrojë kushte shumë të mira fëmijëve që do ta frekuentojnë atë.“Për herë të fundit e vizitojmë kopshtin nr.21, në gjendjen e vet të vjetër dhe të mjerueshme, do të thosha. Mjafton vetëm një fakt: 55 fëmijëve u shërbente një banjë me sipërfaqe 5 m². Sot, nis shembja dhe puna për zëvendësimin e tij me një njësi moderne të shërbimit për 150 fëmijë të Kombinatit, të cilët do të shërbehen në 6 grupe me parametrat më modernë të shërbimit, të sipërfaqes së nevojshme, të nyjeve të nevojshme sanitare, të kuzhinës dhe shtretërve. Ky është një kopsht me drekë dhe do u shërbejë mbi 150 fëmijëve të komunitetit të njësisë bashkiake nr.6, këtu në Kombinat” - u shpreh z. Basha.Godina e re që do të përfundojë për 8 muaj do të jetë me 2 kate dhe me kapacitet akomodimi për 6 grupe fëmijësh, nga 2 grupe për çdo grup-moshë. Kopshti do të jetë i pajisur me sistem ngrohje qendrore, me kaldajë me peletë, gjë e cila mungonte më parë. Kryebashkiaku Basha ka shprehur vendosmërinë e Bashkisë, për të avancuar me investimet në kopshte e çerdhe në të gjithë qytetin, me qëllim ofrimin e një standardi të ri shërbimi për fëmijët e Tiranës.“Për Bashkinë e Tiranës është një hap më tej në avancimin e paketës së investimeve, me të cilën i vijmë në ndihmë vogëlushëve të kryeqytetit, prindërve të tyre, jo vetëm me shërbime më cilësore por dhe me hapësira më të mëdha shërbimi, për një kapacitet më të madh fëmijësh. Kjo paketë investimesh do të vijojë të shtrihet në të gjithë qytetin dhe në këtë mënyrë mbajmë premtimin tonë, për një cilësi më të lartë jete, për shërbime më të mira komunitare dhe për një Tiranë që ofron një perspektivë moderne dhe europiane, për çdo qytetar e në veçanti për vogëlushët e kryeqytetit dhe prindërit e tyre, familjarët e tyre” – theksoi kreu i Bashkisë Lulzim Basha.Së bashku me kopshtin 21, Bashkia e Tiranës po investon në 7 kopshte të cilat kishin kushte të papranueshme higjieno-sanitare dhe të shërbimit ndaj fëmijëve. Në 5 kopshte të tjera po instalohet sistemi i ngrohjes.