Ishte në arrati, arrestohet ish-juristi i MM, i dënuar për çështjen “Gërdeci”

Arrestohet dhe një tjetër i dënuar për tragjedinë e “Gërdecit”. “Policia e Tiranës ka vënë në pranga 33- vjeçarin Denis Hajdari i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 13 shkurt 2013, e ka dënuar me një vit burg për veprën penale 'shpërdorim detyre'", thuhet zyrtarisht nga Policia. Ish- juristi i Ministrisë së Mbrojtjes u dënua me një vit burg nga gjykata, në përfundim të proçesit gjyqësor për çështjen “Gërdeci”.Ndërkaq tre ditë më parë u arrestuan pranë Drejtorisë së policisë së Tiranës dy ish-ushtarakët, Jorgo Miho dhe Gëzim Oshafi, të dy të dënuar nga gjykata me nga 3 vjet burg. Të dy ish-ushtarakët u arratisën menjëherë pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit.Në kërkim policor mbeten ende Fari Toska që do të kryejë 3 vjet burg, Zenun Fero që do të kryejë 3 vjet burg, Fatbardh Kuçi që do të kryejë 1 vit burg, Dashnor Çaushi që do të kryejë 3 vjet burg, Ramandan Tartari që do të kryejë 1 vit burg dhe Ndue Marku që do të kryejë 1 vit burg.Ndërsa në kërkim ndërkombëtar është ish-kreu i Forcave të Armatosura Luan Hoxha, i dënuar me 5 vjet burg.