Rama: Gati për takim me opozitën, të gjejmë konsensus për ligjin e nëpunësit

Një ditë pas apelit të lëshuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim për një takim mes kryetarit të opozitës, Lulzim Basha me kryeministrin Edi Rama, ky i fundit nis përpjekjet për të zhbllokuar ngërçin politik. Përmes një letre të hapur, Rama fton për bisedime kryetarët e katër partive opozitare, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil.“Dua t'ju rishpreh përmes kësaj letre, vullnetin e palëkundshëm të shumicës së dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, për dialog të vazhdueshëm me opozitën dhe me këtë rast, t'ju bëj me dije, se jam gati të takohem me Ju drejtpërdrejt, lidhur me mosmarrveshjen për ligjin 152/ 2013 "për Nënpunësin Civil". Ne kemi marrë një zotim, të cilit do t'i qëndrojmë deri në fund: me ne në qeverisje, opozitës s'do t'I mungojë në asnjë prej hapsirave për të luajtur rolin e vet dhe asnjë prej mundësive për dialog mes të barabartësh me Qeverinë” shprehet Rama.Duke i qëndruar sërish bindjes se ligji është i pazbatueshëm, Rama nenvizon se ndërsa mazhoranca ka zgjedhur rrugën e aktit normativ si më të përshtatshmen, nga opozita ende nuk ka asnjë alternativë që zgjidh këtë problem.“Shumica parlamentare dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë vetëm një synim: ta bëjnë të zbatueshëm ligjin në fjalë që jo vetëm sipas nesh, po dhe sipas asistencës teknike evropjane, është i pazbatueshëm në mungesë të akteve nënligjore të domsodoshme. Ne kemi zgjedhur rrugën e aktit normative, si atë më të përshtatshmen. Nga ana juaj, s'kemi arritur të dëgjojmë ende asnjë alternativë tjetër që e zgjidh më mirë problemin e krijuar nga mungesa e akteve nënligjore, por jemi të hapur t'ju dëgjojmë deri në fund për një zgjidhje përtej konsensusit kushtetues.Ja pse, për të dëgjuar çdo argument të opozitës dhe ballafaquar me ju qetësisht, arsyet e shumicës parlamentare për të shtyrë me një akt normative efektet e Ligjit "Për Nënpunsin Civil". Ua lë Ju të zgjidhni ditën e hënë, të martë apo të mërkurë për një takim mes nesh, nëse natyrisht kjo ftesë përputhet me dëshirat e me interesat Tuaja” përfundon Kryeministri.Në seancën plenare të Kuvendit ditën e enjte u shty votimin i aktit normativ, i cili shfuqizon me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Kryeministri Edi Rama tha se votimi i aktit normativ u shty për të kërkuar konsensusin e opozitës dhe shtyrja ishte bërë me kërkesë të kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta. Ndërkohë opozita ashtu sikundër kishte paralajmëruar e bojkotoi seancën, me shkakun se është prishur konsensusi politik me aktin normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil.