Hapet edicioni i katërt i panairit të punës “Work & Study”

Të gjithë të rinjtë apo studentët e interesuar për një vend pune, mund të shfrytëzojnë një shans të ri që u jepet në këtë aspekt. Pasditen e së premtes në Pallatin e Kongreseve startoi edicioni i katërt i panairit “Work & Study”. I pranishëm në ceremoninë e hapjes , Zv/Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo vlerësoi bashkëpunimin me Dhomën e Industrisë dhe Tregtisë së Tiranës. Bozdo u shpreh se ky aktivitet krijon mundësi të reja për marrjen e informacionit të tregut të punës, lehtëson kontaktet e drejtpërdrejta të punëdhënësit me punëmarrësit, afron shkollat me bizneset dhe nxit punësimin, ku vetëm edicionin e kaluar janë ofruar rreth 1500 vende pune, kryesisht për të rinj.“Bashkia e Tiranës e ka konsideruar komunitetin e biznesit si partner strategjik në realizimin e zhvillimeve ekonomike dhe të punësimit, biznesin e vogël dhe të mesëm si shtyllën kryesore të tij, universitetet e Tiranës si institucione që kanë një potencial të jashtëzakonshëm për të mbështetur synimin e rritjes së nivelit sasior e cilësor të këtyre zhvillimeve, median e shoqërinë civile si partner të rëndësishëm plotësues të këtij procesi. Por ky panair nuk është i vetmi: do të përmendja një tjetër bashkëpunim të frytshëm të Bashkisë me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, është projekti për hapjen e portalit on-line të punësimit ku biznesi si punë ofrues dhe qytetarët si punëkërkues takohen në kohë reale. Janë 19 kompani të regjistruara si dhe 1126 punëkërkues. Kjo formë e ndërmjetësimit online falas ka rezultuar shumë e suksesshme: janë ofruar nëpërmjet portalit 530 vende pune për qytetarët e Tiranës dhe ofertat pasurohen çdo ditë. Në të njëjtën kohë, Bashkia e Tiranës krijoi fondin e garancisë 1 000 000 $, për çdo të ri nën moshën 23-35 vjeç, i cili ka një plan biznesi dhe kërkon financim. Kjo nismë e nxitjes së punësimit u premtua nga Kryetari Basha edicionin e kaluar të këtij panairi dhe sot është një premtim i mbajtur.Nëpërmjet programit “Youth Project” të mbështetur nga Banka Botërore u arrit që në vitin 2012 të trajnoheshin në fushat më të kërkuara nga tregu i punës 200 të rinj. Gjithashtu deri në muajin shkurt 2014 janë parashikuar edhe 250 trajnime të tjera për të rinjtë e qytetit të Tiranës. Në Bashkinë e Tiranës kanë kryer stazhe profesionale në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj, qindra studentë dhe nxënës të shkollave të mesme profesionale” tha ai.Ndërkaq Bozdo deklaroi se me investimet në infrastrukturë Bashkia Tiranë do të vazhdojë të ndikojë direkt në krijimin e vendeve të reja të punës, ku vetëm nga zbatimi i projektit të bulevardit të ri dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës janë parashikuar të krijohen mbi 40 mijë vende të reja pune.“Me investimet në infrastrukturë Bashkia Tiranë do të vazhdojë të ndikojë direkt në krijimin e vendeve të reja të punës. Sipas llogaritjeve të bëra nga studio prestigjioze e projektimit “Grimshaë” vetëm nga zbatimi i projektit të bulevardit të ri dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës janë parashikuar të krijohen mbi 40 mijë vende të reja pune.Këto shifra janë dëshmi konkrete e angazhimit tonë ndaj çështjeve të punësimit për qytetarët tanë dhe kryesisht grupet më në nevojë siç janë komuniteti rom, gratë kryefamiljare dhe të rinjtë. Punësimi për ne është në fokus të çdo takimi me donatorët ndërkombëtarë dhe biznesin. Punësimi dhe Zhvillimi Ekonomik është kryefjala e programit tonë buxhetor dhe ne do i qëndrojmë fort nismave tona duke punuar çdo ditë për qytetin dhe qytetarët e Tiranës.Të nderuar pjesëmarrës, realizimi i programit tonë për zhvillimin ekonomik dhe investimet publike në infrastrukturë kanë lehtësuar ndikimin frenues të krizës duke krijuar një klimë favorizuese për biznesin, i cili vazhdoi të hapë një numër të konsiderueshëm vendesh të reja pune. Kjo dëshmohet nga rritja e punësimit në qytetin e Tiranës për vitet 2012-2013. Konkretisht në vitin 2012 u shtuan rreth 6800 vende të reja pune”deklaroi Bozdo.Panairi "Work and Study", është një nismë e përbashkët mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, me atë të Mirëqenies Sociale dhe të Arsimit, si edhe me Bashkinë e Tiranës.