Berisha, takon ambasadorin e Hollandës, Martin de la Beil
Ish kryeministri Sali Berisha, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Mbretërisë së Hollandës, Martin de la Beil, në të cilin ai i dorëzoi Berishës letrën e Kryeministrit Mark Rutte. Berisha falenderoi për letrën dhe nëpërmjet ambasadorit i përcolli kryeministrit Rutte urimet me të përzemërta dhe mirënjohjen e thellë për mbështetjen e tij dhe të vendit të tij ndaj Shqipërisë.Gjatë takimit Berisha shprehu shqetësimin e tij për mungesën e plotë të programit ekonomik të qeverisë Rama dhe aktin e fundit normativ të saj për buxhetin, me të cilin me siguri do të zhysë në krizë ekonominë e vendit, e cila, theksoi ai, sipas të gjitha vlerësimeve të huaja dhe të vendit vazhdon rritjen dhe nuk ra në reçesion. Por mungesa e programit ekonomik dhe akti i fundit normativ i Ramës për buxhetin, theksoi Berisha, dëshmojnë se kjo qeveri me masat e saj po shtyjnë ekonominë drejt krizës."Kjo sepse, së pari, me akt normativ u vendos të rritet borxhi publik duke marrë borxh në 4 muaj 40 miliardë lekë, ndërkohë që ne, në 8 muaj morëm vetëm 35.7 miliarde lekë" - theksoi Berisha. Ai u shpreh se me këtë akt, defiçiti buxhetor, pa të ardhurat e privatizimit, rritet nga 49 ne 73 miliardë lekë ndërkohë që qeveria mund të merrte borxh vetëm 15 miliardë lekë pa rritur kufirin e borxhit siç po bën.Berisha theksoi se për rritjen me çdo kusht të borxhit publik Rama, jashtë çdo kriteri, ka përfshirë në borxhin publik detyrimet e organeve tatimore ndaj biznesit, të cilat jane 3.5 herë më të vogla se sa detyrimet e biznesit ndaj organeve tatimore por që në çdo vend këto marrëdhënie rregullohen nga legjislacioni fiskal.
Ish Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se qeveria kërkon me çdo kusht të rrënojë disiplinën fiskale, pasi në rast se qeveria e PD në 8 muaj të këtij viti nuk realizoi me 2 miliardë lekë të ardhurat mujore, Rama dekretoi rritjen e mosrealizimit mujor me 4 herë, pra me 8 miliardë lekë në muaj. Ndërkohë që mosrealizimi neto në 8 muajt e parë të 2013, gjatë qeverisjes së PD, ishte 6 miliardë lekë, Berisha theksoi se Rama ligjëron në aktin e tij normativ një gropë apo mosrealizim prej 24 miliardë lekësh duke nxitur kështu kontrabandën dhe korrupsionin në tatime dhe dogana.Berisha vlerësoi gjithashtu se për të zhytur vendin në reçesion të sigurtë, Rama me akt normativ shkurton në mënyrë dramatike me 100 milion dollarë investimet publike për shkolla, rrugë, etj, faktor ky i rëndësishëm i rritjes ekonomike dhe punësimit, ndërkohë që rrit shpenzimet operative për zyra, udhëtime, dieta etj për qeverinë, me 30 milionë dollarë, pra në masën 30%.Berisha shprehu gjithashtu shqetësimin se Rama ka ndërmarrë një valë anullimesh të kontratave, konçesioneve pa asnjë bazë e arsye ligjore, vetëm e vetëm se ato janë marrë pas datës 23 qershor nga qeveria në ushtrim të mandatit kushtetues, duke krijuar frikë dhe panik tek investitorët e huaj dhe duke futur vendin në një seri proçesesh gjyqësore të humbura e të kushtueshme për taksapaguesit.