Basha refuzon ftesën e Ramës: Kusht për bisedime, tërheqja e aktit normativ
“Opozita, PD, unë si kryetar i saj jemi dhe kemi qenë gjithmonë të hapur për dialog, për bashkëpunim, për gjithpërfshirje dhe në këtë kuptim nuk ngurrojmë të përgjigjemi pozitivisht për asnjë kërkesë për takim, takim për të diskutuar çdo çështje në të mirë të vendit, në të mirë të qytetarëve. Ky është standardi i Lulzim Bashës, ky është standardi i PD, ky është standardi i opozitës shqiptare. Në rastin në fjalë është shumë e rëndësishme të kuptohet se çfarë kërkohet, kërkohet konsensus, për të prishur konsensusin. Kjo është e papranueshme, madje e dënueshme në sytë e opinionit qytetar. Ka ndodhur një akt i rëndë dhe i paprecedentë në 23 vite demokraci. Është arritur konsensusi në mënyrë unanime dhe 4 orë para se ligji i miratuar unanimisht dhe me konsensus të hynte në fuqi, është anuluar në mënyrën më arbitrare, duke anashkaluar Parlamentin e le më konsensusin ndërpartiak, me një akt normativ. Përgjigja e vetme e opozitës së unifikuar është kjo: Tërhiq aktin normativ dhe opozita ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë e gatshme të ulet dhe të dialogojë për interesin publik, për interesin e Shqipërisë, për interesat e mëdha të kombit, siç është integrimi europian i vendit, siç është mirëqënia e qytetarëve shqiptarë.Kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë krerët e partive parlamentare të opozitës, dje dhe sot dhe ky është qëndrimi që ju bëj prezent”- tha Basha.
Deklaratat kryebashkiaku i bëri ndërsa inspektoi punimet në kopshtin nr 21 në zonë e Kombinatit.