Spastrimi i administratës nga Rama, Bumçi: Qëllimi, të shtyjë marrjen e statusit

Partia Demokratike i ka kërkuar sot kryeministrit Edi Rama një datë konkrete se kur do të merret statusi kandidat në BE. Në një dalje për mediat, ish-ministri i Jashtëm Aldo Bumçi, tha se Kryeministri i vendit ua ka borxh shqiptarëve një afat konkret, pas tre vjetësh bllokimi të paprecedentë.“Zoti Rama na deklaroi se për Kryeministrin nuk është e rëndësishme data kur Shqipëria mund të marrë statusin si vend kandidat për në BE. Ndërkohë që vendet e tjera rendin për të avancuar drejt Bashkimit Europian, Kryeministri ynë nuk e ka këtë objektiv. Ai nuk ka një datë për t’u premtuar qytetarëve shqiptarë se Shqipëria më në fund, do të kalojë në një stad të ri drejt Bashkimit Europian. Zoti Rama, datat janë të rëndësishme, sepse kështu funksionon Bashkimi Europian. Zoti Rama, data është e rëndësishme, pas tre vjetësh bllokimi të paprecedentë që i bëre Shqipërisë” tha ai.Duke i kujtuar qeverisë së re se statusin kandidat e ka dhuratë në tavolinë nga qeveria e djathtë, sipas tij kjo ishte dhe arsyeja që Rama shkelmoi konsensusin e arritur për ligjin e shërbimit civil dhe ndërmori fushatën e spastrimeve në administratë , për të shtyrë datën e marrjes se statusit të vendit kandidat.“Zoti Rama, data është e rëndësishme sepse ne i përmbushëm të gjithë detyrimet që iu vunë Shqipërisë, dhe qeveria jote e ka këtë dhuratë mbi tavolinë. Prandaj nuk do qe statusi te merret këtë vit sepse do ti njihet si merite Qeverisjes se Partisë Demokratike. Prandaj shkelmove konsensusin e arritur për ligjin e shërbimit civil dhe ke ndërmarrë fushatën e spastrimeve në administratë sepse do të shtysh datën e marrjes se statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. E vetmja gjë që ka mbetur për ty zoti Rama, është t’u japësh shqiptarëve datën, kur ti do ta marrësh seriozisht integrimin europian të Shqipërisë” perfundoi Bumçi.