Lirimi i hapësirave publike, policia bashkiake aksion te rruga e Elbasanit
Policia bashkiake ka vijuar punën për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet të cilat ishin privatizuar pa te drejtë. Aksioni i radhës është përqëndruar në rrugën e Elbasanit, në afërsi të Fakultetit Histori-Filologji ku subjekte të ndryshme kanë zënë hapësira publike për parkingje private.Policia bashkiake ka sekuestruar edhe objekte e vendosura për kufzimin e hapësirave përreth pallateve. Pronarë të subjekteve u irrituan në momentin që punonjësit po hiqin kufizimet e vendosura përreth pallateve për parkingje, por situata është qetësuar me ndërhyrjen e policë bashkiake të cilët asistonin në aksion.Që prej disa kohësh policia bashkiake ka nisuar aksionin për rikthimin e hapësirave publike qytetareve, por pavarësisht kësaj shumë subjekte nuk janë bindur duke e rikthyer gjithçka si më parë. Në shumë raste policia bashkiake ka vendosur edhe gjoba, vlera e të cilave është 50 mijë lekë të vjetra ndaj gjithë subjekteve që kanë zaptuar këto hapësira publike dhe zonat e gjelbërta në kryeqytet.Ndërkohë që njoftohet se ndaj atyre subjekteve që e kanë të përsëritur aktin e zënies së hapësirave publike do të ndërmerren masa për konfiskimin pajisjeve dhe materialeve që kanë zaptuar këto hapësira publike.Policia bashkiake deklaron se do të vazhdojë punën edhe në ditët në vijim dhe absolutisht që të gjitha rrugët e Tiranës do të jenë të lira, trotuaret do të jenë të lira dhe brenda blloqeve të banimit, do të vijojë heqja e zinxhirëve të atyre parkingjeve që janë zaptuar pa të drejtë apo i kanë vendosur privatisht dhe jo bazuar në ligj.