LSI “ndërmjet” PS-PD për aktin normativ, Vasili: Të takohen Rama dhe Basha
Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes socialiste për integrim, Petrit Vasili, me anë të një deklarate për mediat, ka bërë thirrje për një takim mes kryeministrit, Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha për të diskutuar lidhur me ligjin për “Nëpunësin Civil.Vasili u shpreh se LSI është e gatshme që të ulë në një tavolinë dialogu mazhorancën dhe opozitën në mënyrë që të zgjidhet debati për ligjin për nëpunësin civil.“Jemi në këtë komunikim me ju lidhur me një çështje e cila ka interesuar gjerësisht opinionin e gjerë publik dhe që ka lidhje me problematikën e rrugës së miratimit të Aktit Normativ që ka të bëjë me ligjin e Shërbimit Civil. Sikurse edhe ju e keni përcjellë, ka pasur debate të shumta dhe njëkohësisht edhe qëndrime politike, pse jo edhe në distancë të largët, ku dhe opozita nuk ka frekuentuar më seancat e Parlamentit dhe komisionet parlamentare.Duke marrë shkas edhe nga një komunikim politik i ditës së sotme ndërmjet njërit prej kryetarëve të grupeve parlamentare, zotit Idrizi dhe ministrave Celibashi dhe Gjosha, ne vlerësojmë se është një moment i rëndësishëm për të rivendosur dialogun mes mazhorancës dhe opozitës, dialog, i cili në mënyrë të natyrshme çon në zgjidhjen e problemeve dhe nuk ushqen krijimin e distancave të largëta, të panevojshme, të cilat kanë shoqëruar politikën shqiptare në vite të tëra.Ne e gjejmë të udhës të promovojmë idenë e një takimi mes mazhorancës dhe opozitës në nivel të kryetarëve, pra të Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të eksploruar një dakordësi në mënyrë që ky ligj shumë i rëndësishëm, i cili ka qenë produkt i një konsensusi dhe dakordësie politike të vazhdojë të jetë i tillë edhe në këtë akt, që nuk bën asgjë tjetër përveçse përforcon efektin e tij shumë pozitiv lidhur me konsolidimin e administratës dhe shërbimit civil; e barazlargon atë nga tensionet politike dhe ndryshimet politike, dhe krijon ato efekte të dëshiruara, për të cilat ai është miratuar”, u shpreh Vasili.Vasili theksoi se maxhoranca dhe opozita, në kuptimin më të mirë të fjalës janë të detyruara të bashkëpunojmë me njëra- tjetrën. Sipas tij, më tutje ata do te kenë edhe çështje të tjera madhore për të bashkëpunuar, siç është ndarja administrative apo çëhstje të tjera.“Njëkohësisht një takim i tillë ne mendojmë se do të ishte shumë i rëndësishëm për të stabilizuar dhe për të futur në hullinë e dialogut politik mazhorancën dhe opozitën për çështje madhore, kur ato janë të detyruara në kuptimin më të mirë të kësaj fjale të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, e në mënyrë të veçantë për ato çështje që janë çështje madhore.Në rastin konkret kemi një çështje madhore sikurse është Akti Normativ, por më tutje do të kemi për të diskutar çështje të tilla madhore sic është ajo që ka të bëjë me ndarjen e re administrative apo dhe problematika të tjera. Këto çështje janë çështje që shkojnë përtej mandateve qeverisëse, janë tepër afatgjata në kohën e efektit të shtrirjes së tyre dhe kërkojnë në mënyrë të domosdoshme një dialog të natyrshëm pozitë dhe opozitë.Një komunikim i tillë, një takim i tillë përveçse do ti jepte një përgjigje positive kësaj cështjeje e cila e kërkon dhe e ka të mirëkuptuar e të pranuar një konsensus të gjerë do të ishte një demonstrim edhe i pjekurisë politike, e cila nuk ka munguar të shfaqet edhe në momentin e miratimit të tij në Majin e këtij viti, por do të ishte dhe një mesazh shumë I mirëpritur dhe nga partnerët evropianë, të cilët e shikojnë dhe e vlerësojnë dialogun si një nga elementët thelbësorë të një politike që funksionon, të një demokracie që funksionon dhe të një komunikimi politik i cili akomodon të gjitha interesat e qytetarëve shqiptarë e ku dialogu duke prevaluar, largon tutje tensionet e panevojshme, artificial, politike dhe çliron dhe qytetarët nga tensionet të tilla, duke i bërë ata të përqendrohen gjithmonë e më shumë drejt punës zhvillimit të biznesit dhe rritjes së mirëqënies së tyre familjare, në një mjedis politiko shoqëror të qetë dhe frymëzues.Ndaj, ne e mbështesin dhe e mirëpresim një dialog të tillë dhe e promovojmë një gjë të tillë, sepse rezultatet e dialogut mund të jenë veçse positive dhe nuk mund të kenë asnjë përfundim tjetër”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.