Rama “presion” kupolës së policisë: Pres rezultate, nuk jeni emëruar nga politika

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e lartë të policisë së shtetit. Në fjalën e tij kryeministri  është shprehur se përzgjedhja e kupolës së policisë së shtetit është bërë me kujdes ndërsa kërkoi nga të gjithë të zgjedhurit të punojnë si një skuadër."Ne sot kemi një trup drejtuese të përzgjedhur me kujdesin më të madh duke kërkuar në radhët e shërbëtorëve të shtetit njerëzit më të përshtatshëm për të kryer një reformë të thellë dhe për të ndërmarrë një aksion të policisë që do të vendosë raportet e drejta mes shoqërisë dhe pasurisë së përbashkët, duke garantuar jetën e çdo individi si jetën e anëtarit të familjes sonë. Ju jeni zgjedhur me kujdesin më të madh dhe do dini të jeni në lartësinë e detyrës, por secili prej jush do duhet të mbajë detyrën e lartë me punë të ndershme dhe rezultate të prekshme nëse në përzgjedhjen tuaj kanë folur karriera juaj punët tuaja, njerëzit, me opinionet e tyre pozitive, nga sot duhet të flasin vetëm rezultate” tha Rama.