Leje të burgosurit, Naço shkarkon drejtorin dhe mjekun e burgut të Rrogozhinës

Ministri i Drejtësisë shkarkon nga detyra Drejtorin e Burgut të Rrogozhinës, Rezart Tusha dhe mjekun e burgut, Alban Haxhi. Në një njoftim për mediat Ministria e Drejtësisë bën me dije vendimi vjen pasi një ditë në burgun e Rrogozhinës është dhënë një leje e veçantë për të dënuarin Kasandër Noga, në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e përgjithshme të burgjeve.Shtetasi Kasandër Noga, i datëlindjes 1977, është dënuar me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim në tre raste, nga të cilat i kanë mbetur edhe 15 vjet, 3 muaj dhe 27 ditë për të kryer dënimin.Nga kryerja e veprimeve paraprake hetimore, ka rezultuar se ka shkelje në dhënien e kësaj leje, si dhe nuk janë respektuar kërkesat ligjore. I dënuari ka kërkuar leje për të takuar nënën e tij, me pretendimin se ajo ishte e sëmurë, por nga verifikimi i epikrizës së gjendjes shëndetësore të nënës së të dënuarit rezulton se dokumenti është fals. Kjo, pasi një nga mjekët e komisionit të aprovimit të epikrizës gjendet aktualisht jashtë shtetit.Sa më sipër, Ministria e Drejtësisë ngriti një grup hetimor dhe një grup inspektimi të veçantë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kryesuar nga drejtori Artur Zoto, të cilët konkluduan paligjshmërinë në dhënien e lejes së veçantë dhënë të dënuarit K. Noga. Gjithashtu, u bë referimi i veprës penale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit të Kavajës për ish- drejtorin Tusha dhe mjekun Haxhi, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, të p[arashikuar në nenin 248 të Kodit Penal. Referimi i veprës penale për veprën e falsifikimit të dokumentave u bë edhe për familjarin e të dënuarit Noga, i cili ka dorëzuar epikrizën e rreme në këtë institucion.Ndërkohë vazhdon puna për sqarimin e rrethanave në të cilat është dhënë epikriza nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.