Ministrat ende “të pastrehë”, nuk janë gati ndërtesat për disa Ministri

Disa Ministri të qeverisë Rama mbeten ende të pastreha. Qeveria Rama ka rreth një muaj që ka marrë pushtetin, e pavarësisht kësaj përsëri disa Ministri vijojnë që të mos jenë akomoduar në godina. Nga një vëzhgim i thjeshtë shihet se disa Ministri vijojnë që të mbajnë të njëjtat emra.Ndërkohë risi është fakti se Ministria e Industrisë dhe Energjisë e drejtuar nga Damian Gjiknuri do të jenë në një godinë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e drejtuar nga Arben Ahmetaj.Ky fakt vërtetohet edhe prej vendosjes së pllakatave me emrat përkatës të dy Ministrive në një godinë. Ende mbetet e paqarte se ku do të vendoset godina e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, që drejtohet nga Eglantina Gjermeni e cila po vazhdon që të bashkëjetojë në një godinë me Ministrinë e Transporteve, e cila drejtohet nga Edmond Haxhinasto.Pa godinë tashmë kanë mbetur edhe Ministria e Financave, e cila do të largohet nga Kryeministria si dhe Ministria e Kulturës e cila do të zhvendoset në Kinostudio.Ndërkohë që disa prej Ministrive i kanë ndryshuar emrat, duke vendosur emërtimet e reja. Ky konfuzion me godinat e Ministrive ka ardhur si pasojë e shtimit të Ministrive në krahasim me qeverinë e mëparshme nga 13 në 19.Ndërkohë që opozita ka akuzuar qeverinë se po rrit nivelin e borxhit publik pikërisht për shtimet që janë bërë në administratë dhe për ndërtimin e godinave të reja. Kjo situatë ka mbajtur pezull dhe funksionimin normal të tyre, pasi dhe ambientet ende nuk janë përcaktuar në mënyrë përfundimtare.