Rrushaj: Në 8 muaj qeverisje lamë 6 mld defiçit, qeveria do ta çojë në 24 për 3 muaj
Partia Demokratike ka vijuar edhe sot fushatën për të bërë transparente gjendjen në të cilën e dorëzoi arkën e shtetit. Në një dalje për mediat ish-zëvendës.ministri i Financave, Alfred Rrushaj, akuzoi qeverinë se në vetëm 3 muaj qeverisje synon të katërfishojë defiçitin që trashëgoi në 8 muaj qeverisje nga e djathta.“Në fund të muajit gusht defiçiti total në të ardhurat e shtetit është 16 miliard lekë, nga këto 16 miliardë lekë ajo që e rendon realisht buxhetin qëndror apo mund të parqitet si defiçit janë 13 miliardë lekë. Por situata është e qartë se nga këto 13 miliardë lekë, rreth 7 miliardë lekë janë kursime në zërat e interesave si pasojë e mirëmenaxhimit dhe politikave të kujdeshme fiskale, vecanërisht në lidhje me borxhin janë kursyer 5 miliard lekë, 2 miliard të tjera janë kursime që vinë nga fondet operative të Ministrive. Si konkluzion si 8 mujor, të ardhura që rëndojnë buxhetin e shtetit janë vetëm 6 miliardë lekë. Unë do isha i lumtur nëqoftëse se krahasimi që bën qeveria të ishte i njëjtë si për periudhën tonë të qeverisjes ashtu dhe periudhën që ndodhen vetë në qeverisje. Në 8 muaj qeverisje deficiti real i të ardhurave ishte 6 miliard lekë, në pjesën tjetër të vitit që ka mbetur qeveria po paraqet një projekt ku pretendon të rrisë deficitin në 40 miliardë lekë. Çfarë qeveria po thotë eshte se qeveria nuk do të mbledhë të ardhura në 40 miliardë lekë. Duke hequr atë çfarë i takon periudhës 8 mujore, në periudhën në të cilën ata janë në qeverisje do ta rrisin me 24 miliardë lekë. A kanë ndërmend të mbledhin të ardhura këta apo jo? Po nëse 6 miliardë lekë deficit në 8 muaj i konsiderojnë si drastike, cfarë duhet të themi ne për 24 miliard lekë për 2 muaj e gjysmë?”tha ai.Kërkesa e qeverisë së majtë për të rritur defiçin, sipas Rrushaj vjen nga pamundësia për të mbajtur premtimet e pambajtshme që bëri gjatë fushatës elektorale. Por sipas tij e gjithë kjo do të ketë kosto të madhe për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë.“Kemi dëgjuar shpesh që arka është bosh. Në buxhetin e shtetit ishte parashikuar që defiçiti vjetor do të ishte 49 miliardë lekë, ku ne kemi konsumuar ¾. Nga ana tjetër është pandershmëria në krahasim, që qeverisja kërkon të bëjë. Të gjitha këto bëhen për shkak të pamundësisë që qeverisja ka për të mbajtur premtimet e pambajtshme që bëri gjatë fushatës elektorale. Por nuk kuptojmë faktin se qeverisja vazhdon të futet në një diskutim që do jetë me pasoja të rënda për ekonominë e vendit, për rritjen e kostos së borxhit. Ne e kuptojmë dëshirën e qeverisë që duke rritur deficitin të mund të lirojë nga pagesa e të ardhurave një sërë klientësh të vet. E kuptojmë gjithashtu dëshirën e qeverisë që përmes rritjes së defiçitit të mund të paguajë në mënyrë të pakontrolluar disa nga klientët e vetë. Ajo që ne s’kuptojmë dhe do bëjmë të pamundurën që të mos ndodhë është fakti që këtë kosto ta mbajnë të gjithë shqiptarët” përfundoi ish-zëvendës.ministri i Financave.