Kreu i Kushtetueses, Nishani nis takimet konsultative.Paloka: Do respektojmë vendimin e presidentit
Presidenti Nishani ka nisur takimet konsultative me krerët e grupeve parlamentare, për emërimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, pas përfundimit të mandatit 3-vjeçar të Bashkim Dedes.Takimi mes kreut të shtetit dhe krerëve të grupeve parlamentare zhvillohet në vijimësi të praktikës së bashkëpunimit ndërinstitucional të konsultimit me forcat politike parlamentare.Takimin e parë, kreu i shtetit e ka zhvilluar me kreun e grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ndërsa në orën 10:45, presidenti është takuar edhe me kreun e grupit demokrat Edi Paloka.Kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka ka deklaruar pas takimit se nuk ka propozuar emra, por është folur vetem për kriteret dhe se do të respektojnë vendimin e Presidentit.
“Bisedova me presidentin e vendit, ekziston një procedurë që është vendosur si traditë, lidhur me kriteret që kemi pasur dhe kemi për kryetarin e Gjykatës do respektojmë vendimin e presidentit, ai do të mbështetet te kriteret dhe nuk ka pse të kemi mendim ndryshe, nuk propozova emra, do respektojmë vendimin e presidentit” tha Paloka.
Në orën 12:30 kreu i shtetit është takuar me kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ndërsa më pas është takuar me Kreun e Grupit Parlamentar të PDIU, Shpëtim Idrizi dhe me Kreun e Grupit Parlamentar të PR, Fatmir Mediu.KushtetutaGjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.Një e treta e përbërjes përtërihet çdo tre vjet. Kryetari emërohet nga rradhët e anëtarëve nga Presidenti i Republikës për 3 vjet me të drejtë riemërimi (neni 125 i Kushtetutës). Gjyqtarët kushtetues gëzojnë imunitet.Ata nuk mund të ndiqen penalisht pa pëlqimin e vetë Gjykatës Kushtetuese .Gjithashtu ata nuk mund të shkarkohen, përveç se në rastet e parashikuara nga Kushtetuta (neni 128). Gjithashtu Funksioni i gjyqtarit kushtetues është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër publik ose veprimtari private.