Greqi, ‘Agimi i Artë’ rrëzohet në gjakun që kishte derdhur

Në Greqi më në fund i vunë emrin që meritonte organizatës neonaziste “Agimi i Artë”. Qindra dosje të prokurorisë dhe policisë greke e dëshmojnë atë si bandë kriminale, ashtu siç duket, ishte në të vërtetë. Gazetat raportojnë për një rrjet tipik mafioz që mbante në këmbë partitë duke “marrë në mbrojtje” kundrejt pagesës dyqanet nga hajdutët apo duke marrë falas peshk të dorës së dytë që përdorej më pas për supën falas “vetëm për grekët”. Duke përdorur mizerjen dhe varfërinë, neonazistët rekrutonin anëtarë me pagesë, të cilët më pas përdoreshin në betejat në rrugë apo sulme të tjera. Një ish i tyre ka rrëfyer se si ishin të organizuar thuajse 3 mijë paramilitarë dhe falangat (emri i huazuar nga një prej seksioneve të ushtrisë së Aleksandrit të Madh) me 50 anëtarë që përdoreshin për përleshjet në rrugë. Të gjithë liderët e saj, përfshi edhe Kristos Papas, i shpallur non grata në Shqipëri, apo kryetarin Nikos Michalolakos, janë tashmë pas hekurave dhe përgjigjen për akuza që pak kanë të bëjnë me politikën: Vrasje, shantazh, gjobëvënie dhe krijim të organizatave kriminale. Në Greqi janë entuziastë për këtë. Titujt e gazetave flasin për demokracinë që funksionon, ndërsa duket se operacioni ka qenë tejet sekret…Operacioni i organizuar prej njësive antiterror filloi të shtunën me ndërhyrjen në selinë e “Agimit të Artë” dhe shtëpitë e krerëve të organizatës dhe 5 deputetëve të saj, 15 anëtarë të tjerë të partisë u arrestuan gjithashtu nën akuza të nxitjes së dhunës dhe të qenit pjesë e një organizate kriminale. Gjatë leximit të 9 faqeve të akuzës, prokurori tha se ata ndiqeshin ndër të tjera për vrasje, pengmarrje dhe pastrim parash.Goditja u përshëndet si “një ditë historike për Greqinë dhe Evropën” nga ministri i Rendit, Nikos Dendias, i cili mbikëqyri operacionin që deri në atë moment ishte i njohur vetëm për 3 oficerë të lartë të sigurisë. Aksioni, për ironi, filloi pak pas agimit të ditës. “Agimi i Artë vuri në provë aftësinë e demokracisë për të duruar”, tha ministri gjatë një fjalimi televiziv, ku garantoi vijimin e hetimeve për lëvizjet kriminale të grupit. “Sot, ai (Agimi i Artë) mori përgjigjen nga shteti i së drejtës”.Më herët gjatë ditës, ministri i Drejtësisë u premtoi të arrestuarve se do të gjykoheshin me drejtësi. Ndërkohë që operacioni vijoi deri dje në mbrëmje. 25 njësi të antiterrorizmit ndoqën deri në momentin e vetëdorëzimit deputetin Kristos Papas, i akuzuar se ishte pjesë e hierarkisë komanduese të bandës kriminale që fshihej nën maskën e një organizate politike, duke shkaktuar terror në rrugët e Greqisë. 11 persona të tjerë janë ende në kërkim, ndërsa policia thotë se ka prova të pakontestueshme prej përgjimit të telefonatave.Kryetari Michaloliakos u arrestua në 7 të mëngjesit të së shtunës në shtëpinë e tij në Athinë. “Kjo që ju po bëni nuk është e drejtë. E vërteta do të shkëlqejë”, u tha ai policëve që raportuan se në shtëpinë e tij u gjetën tri armë pa leje dhe mijëra euro. Armët janë dërguar tashmë për analizë balistike, për të parë nëse janë përdorur apo jo në krime.Mijëra njerëz ndërkohë u mblodhën në sheshin para komisariatit për të protestuar kundër arrestimit. Përkrahësit e “Agimit të Artë” nuk janë pak në Greqi. Bëhet fjalë për partinë e tretë më të madhe në vend, e cila shfrytëzoi dëshpërimin për të rritur popullaritetin. Organizata akuzohet se kishte si moto dhe qëllim dhunën, ndërkohë që grupet e të drejtave të njeriut thonë se ajo është fajtore për qindra sulme kundër emigrantëve apo edhe turistëve me ngjyrë vetëm gjatë vitit që shkoi. Pasi arriti të fitonte 7 për qind të votës dhe të merrte 18 vende në parlament, organizata shpërtheu një valë dhune kundër emigrantëve, homoseksualëve dhe të majtëve në Greqi. Vrasja e rreperit të majtë Pavlos Fyssas, një yll mes antifashistëve, solli reagim masiv kundër organizatës dhe e detyroi qeverinë të vepronte.Hetimet ndërkohë kanë filluar më herët, pas zbulimeve se anëtarët e organizatës ishin stërvitur prej komandove dhe forcave speciale të policisë greke dhe kishin një bazë të gjerë mbështetjeje në polici, gjë që solli edhe fillimin e hetimeve.Koalicioni qeverisës, jo fort i qëndrueshëm i Samaras, është përshëndetur për lëvizjen e fortë dhe të shpejtë kundër organizatës dhe sondazhet tregojnë një rritje të mbështetjes ndaj tij edhe pse të vogël. Ndërkohë, kreu i opozitës ka mbështetur goditjen kundër “Agimit të Artë”, duke thënë se ata duhet të përballen me ligjin. Sidoqoftë gjërat nuk do të jenë të lehta. Ekspertët shohin shumë probleme për qeverinë e dobët greke, e cila pas kësaj lëvizjeje do duhet të ketë më shumë mbështetje, qoftë edhe për faktin se ‘Agimi i Artë’ gëzon përkrahje te rreth 1 milion grekë dhe krerët e tij kishin premtuar se goditja do të ishte si “të hapeshin portat e ferrit”Burimi : mapo.al