10 mijë banorë në Propisht në vështirësi komunikimi, rruga 10 vjet pa rikonstruksion
10 vjet pa infrastukturë rrugore. Kjo është situata në komunën Propisht të Pogradecit, ku 10 mijë banorë të saj, duhet të përshkojnë 40 km rrugë duke kaluar mes gropave, baltes dhe pluhurit në verë, ndërsa në dimër mbeten pothuaj të izoluar për shkak të bllokimit të saj nga reshjet e dëborës.Ky është i vetmi aks që lidh këtë komunë me rrugën nacionale Korçë-Elbasan. Sipas kryetarit të Komunës, Fuat Fero, institucioni që ai drejton ka investuar më tepër të ardhura në realizimin e projekteve se në mirëmbajtjen e saj, pasi edhe pse ky aks është nën administrimin e Drejtorisë së rrugëve rurale Pogradec, asnjë punëtor nuk është vendosur për mirëmbajtjen e këtij aksi.Situata bëhet edhe më e vështirë për drejtuesit e mjeteve, të cilët shprehen se mjetet e tyre po amortizohen.Si e vetmja mundësi lidhëse, gjendja në të cilën ndodhet kjo rrugë, e cila është në shërbim të 10 mijë banorëve, është duke ndikuar negativisht edhe në ekonominë e zonës, duke shkaktuar humbje të mëdha si në bujqësi ashtu dhe blegtori, pasi banorët nuk mund të nxjerin në treg prodhimet e tyre.