Moro i kërkon “llogari” qeverisë: Pse s’mund të zbatohet ligji për nënpunësin civil

Ambasadorja e Francës në Tiranë Christine Moro ka reaguar sot në lidhje me ligjin e nënpunësit civil.Duke iu referuar debateve të ditëve të fundit për shtyrjen e ligjit, ambasadorja franceze ka nënvizuar rëndësinë që ka zbatimi i ligjit sa i përket ndryshimeve në administratë.E pyetur nga mediat nëse ligji duhet të hyjë në fuqi nesër apo të shtyhet, ambasadorja Moro është shprehur se kjo ka nevojë për të marrë përgjigjet e nevojshme nga juristët, lidhur me faktin nëse ky ligj duhet të hyjë sa më parë në fuqi apo jo.“Dua të bëj një koment të shkurtër lidhur me zhvillimet e aktualitetit. Desha të flas për funksionet publike dhe në lidhje me administratën shqiptare. I referohem çështjes aktuale që po diskutohet lidhur me hyrjen në fuqi të ligjit të ri. Nuk dua të bëj komente lidhur me këtë çështje pasi janë juridike dhe teknike, por desha të theksoj se duhet të respektohet fryma e ligjit. Dhe thelbi i ligjit është se administrata e lartë, duke u bazuar mbi transparencën, mbi eksperiencën, mbi neutralitetin (paanshmërinë) në lidhje me politikën. Pra është e nevojshme të respektohen këto parime, që tani dhe të ruhet një lloj stabiliteti në lidhje me administratën dhe është e kuptueshme se disa ndryshime janë krejtësisht të ligjshme. Këto janë çështje që janë teknike dhe juridike. Unë nuk jam juriste, specializuar në të drejtën shqiptare. Mendoj se nëse ka një çështje që duhet shtruar është se në se nuk është e mundur të aplikohet ligji tashmë, atëherë përse është e pamundur?!”, tha ambasadorja Moro.Deklarata e ambasadores franceze u bë gjatë aktivitetit të zhvilluar për luftën kundër pastrimit të parave ku Franca asiston Shqipërinë përmes një cikli trajnimi të ekspertëve të ministrisë së Brendshme, ministrisë së Drejtësisë dhe ministrisë së Financave.