Bylykbashi: Rama kërkon të shtyjë dhe jo të zbatojë “Ligjin për nënpunësin civil”

Kur na ndajnë më pak se 36 orë nga hyrja në fuqi e Ligjit për Nëpunësin Civil, Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama se po tenton në mungesë të plotë transparence të shkelmojë konsensusin e arritur për këtë ligj, që u votua me votë unanime dhe të shtyjë datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, tha se hyrja në fuqi e ligjit pengon zbatimin e skenarit të Ramës për spastrim arbitrar dhe politik të shërbimit civil.“Ligji i ri me një dispozitë të veçantë, përkatësisht nenin 68, ndalon marrjen dhe largimin nga puna gjatë periudhës 3 mujore që i paraprin hyrjes në fuqi të ligjit. Ky nen i ka shtrirë tashmë efektet mbrojtëse nga data 1 korrik deri nesër më 30 shtator. Ky ndalim i vendosur me konsensus, synon të pengojë pikërisht atë që Rama ka në plan: spastrimin arbitrar dhe politik të shërbimit civil” deklaroi ai.Përmes shtyrjes së datës së hyrjes në fuqi ligjit, Rama kërkon të rrëzojë mbrojtjen 3 mujore që jep ky nen, vijoi më tej deputeti i PD, ndërsa theksoi se gatishmëria për të shkelur Kushtetutën dhe shkelmuar konsensusin është një alarm për stabilitetin jo vetëm të administratës publike, por të vendit në tërësi.“Rama kërkon ta shtyjë dhe jo ta zbatojë ligjin pasi kërkon dorë të lirë për të larguar masivisht nga puna nëpunësit civilë të kualifikuar dhe të trajnuar. Partia Demokratike denoncon këtë përpjekje antikushtetuese që synon gjymtimin e shërbimit civil. Kushtetuta ia ndalon qeverisë të ndryshojë me akte normative ligjet që kjo Kushtetutë detyron të miratohen me konsensus me 3/5 e votave. Gatishmëria për të shkelur Kushtetutën dhe shkelmuar konsensusin është një alarm për stabilitetin jo vetëm të administratës publike, por të vendit në tërësi” përfundoi deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi.