Naço pret Ambasadorin turk: Forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit në drejtësi
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, priti sot në një takim kortezie Ambasadorin e Turqisë, Hasan Aşan.Ambasadori turk shprehu urimet e rastit për emërimin e z. Naço në krye të Ministrisë së Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë, nga ana e tij, pas falenderimeve të rastit, nënvizoi faktin se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me Republikën e Turqisë kanë qenë të frytshme dhe janë konkretizuar në shkëmbim të informacionit ndërmjet autoriteteve tona, për vënien e elementëve kriminalë përpara drejtësisë së shteteve respektive.Më tej, biseda u përqendrua tek hapat që do të ndërmarrë Ministria e Drejtësisë në lidhje me reformën e sistemit të drejtësisë, bashkëpunimin dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe mbi disa iniciativa që synojnë rritjen e përformancës së sistemit të drejtësisë në të gjitha aspektet e tij.