Punimet për bulevardin e Tiranës, Bashkia zhvendos shtyllat e tensionit
Pas zhvendosjes së linjës së tensionit të lartë nga bulevardi "Zogu i Parë", sot Bashkia e Tiranës nis zhvendosjen e shtyllave.Për shkak të punimeve për heqjen e tyre nga ora 18:00 e datës 23.09.2013 deri në orën 05:00 të datës 24.09.2013 do të bllokohet qarkullimi në bulevardin "Zogu i Parë ". Transporti publik, linja Uzina Dinamo -Sharrë dhe e Tufinës do të zhvendoset në rrugën e "Barrikadave".Linja e tensionit të lartë u zhvendos pas 15 vitesh nga bulevardi "Zogu i Parë". Zhvendosja e kësaj linje, një shqetësim i madh i banorëve të kësaj zone ishte një premtim i kryebashkiakut Basha, bërë gjatë fushatës elektorale në vitin 2011. Për shkak të kompleksitetit të punës, për futjen nën tokë të kësaj linje, Bashkia e Tiranës mori një ekip të specializuar zvicerian, si dhe bashkëpunoi me OST-në. Linja e re ka një gjatësi prej 2.3 km, është ndërtuar me parametra bashkëkohorë dhe i përgjigjet zhvillimit perspektiv të rrjetit të rajonit.