Dekorohet katedralja e Fan Nolit, Nishani: Simbol i bashkëjetesës dhe unitetit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, SHBA, me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.Dekorata që Kreu i Shtetit ia dorëzoi At’ Artur Liolinit, jepet me motivacionin “Vatër e rëndësishme historike e ruajtjes së trashëgimisë dhe traditës kombëtare shqiptare. Luftëtare konsekuente për Pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për ruajtjen dhe konsolidimin e sovranitetit të tyre dhe rritjes së profilit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, Presidenti Nishani u shpreh se historia shqiptare e qindvjeçarit të fundit është e lidhur ngushtë me diasporën shqiptare në SHBA, që nga ana e saj nuk mund të kuptohet pa Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit, në Boston, e cila që prej themelimit nga Kryepeshkopi, patrioti i shquar dhe mendimtari i madh Fan Noli, në mars të vitit 1908, deri më sot, nën drejtimin e At’ Artur Liolinit, ka qenë mbështetëse e rëndësishme për çështjen shqiptare dhe e pranishme në momentet kulmore të saj.“Katedralja e Shën Gjergjit është shndërruar, tashmë, jo vetëm në një nga institucionet më të rëndësishme, por gjithashtu në një pikë referimi institucionapër shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është shtëpia me dyer e zemër të hapur për të gjithë bashkatdhetarët tanë, qofshin ata ortodoksë, myslimanë, apo katolikë, një strehë e ngrohtë mikpritëse dhe një simbol i bashkëjetesës fetare dhe unitetit kombëtar” tha ai.Presidenti Nishani u shpreh se At’ Artur Liolini, me atdhedashurinë dhe drejtimin e urtë, ka dhënë një ndihmesë të shquar dhe përbën një vlerë të çmuar për këtë institucion dhe më gjerë, duke theksuar ndërkohë se shqiptarët i detyrohen mirënjohje dhe respekt kujtdo që ka bërë diçka të vyer për kombin.Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë qindra bashkatdhetarë që jetojnë në SHBA.Më herët, Presidenti Nishani kreu homazhe dhe vendosi kurora me lule në vendprehjen e Fan Nolit dhe Faik Konicës, në varrezat e Forest Hills, Boston.