Arvizu: Luftë korrupsionit, hetimi të mos bjerë pre e presioneve politike
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu ka nënvizuar rëndësinë e madhe që ka për vendin lufta kundër korrupsionit ndërsa ka garantuar mbështetjen e SHBA-së për njësitë e përbashkëta hetimore në luftën kundër këtij fenomeni në administratë.Duke folur në një takim me 7 njësitë speciale të hetimit, ambasadori Arvizu ka inkurajuar punën e njësive hetimore, duke kërkuar hetim të rasteve të korrupsionit pavarësisht presioneve."Mbështesim njësitë e përbashkëta hetimore pasi besojme tek një qasje rajonale dhe kombëtare. Njësitë e përbashkëta hetimore që luftojnë korrupsionin në administratën publike, kanë mbështetjen e SHBA-së. Dua ti falenderoj për punën e bërë dhe dua t’iu kujtoj se keni mbështetjen e ambasadës së SHBA-së. Shqipëria është një fshat ku të gjithë e njohin njëri -tjetrin dhe zyrat rajonale të hetimit mund të ndiejnë trysninë e presionit gjatë hetimit të një personi. Nxis që të trajtoni dhe të hetoni institucionet që kanë penguar ndjekjen me sukses të rasteve të korrupsionit. Mbështesim rolin e prokurorit të përgjithshëm gjatë hetimeve të rasteve të korrupsionit” tha Arvizu.Sipas ambasadorit Arvizu, korrupsioni në gjykata dëmton besimin e popullit ndërsa nënvizoi rëndësinë e nisjes së një fushate sensibilizuese për mosdhënie rryshfeti nga qytetarët."Gjyqësori është një institucion më pak i besuar pasi shumica e shqiptarëve e shohin atë si të korruptuar. Ndjekja penale e suksesshme kërkon mbështetjen e të gjithëve. Kjo është një kohë tranzicioni për Shqipërinë, por veç kësaj kjo kohë siguron edhe mundësi. Kemi nevojë që publiku të denoncojë dhe të jetë bashkëpunues për luftën ndaj korrupsionit në administratën publike. Është me rëndësi nisja e një fushate për të bindur shqiptarët të reshtin të paguajnë rryshfet” shtoi Arvizu.Ndërsa prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla ka kërkuar nga njësitë e hetimit angazhim maksimal për rastet e korrupsionit ndërsa paralajmëroi se do të kontrolloj rastet konkrete.“Organi i hetimit ka përgjegjësinë më të madhe në luftën ndaj korrupsionit dhe sfida e luftës ndaj korrupsionit kërkon bashkëpunim. Kam ofruar të gjithë ndihmën dhe përvojën për të nxitur dhe rritur luftën ndaj korrupsionit. Nga drejtuesit e Task-Force që lufton korrupsionin kam kërkuar raporte mujore për hetimin e korrupsionit. Këto njësi kanë garanci për një funksionim normal dhe aty do të atashohen prokurorë me eksperiencë për të luftuar me eficencë korrupsionit. Kërkoj më shumë angazhim nga njësitë e hetimit dhe do të kontrolloj rezultatet e tyre konkrete. Qytetarët kanë pritshmëri të lartë në luftën anti-korrupsion prandaj kërkohet angazhim maksimal” tha Llalla.