OSBE apel policisë: Vijoni punën pavarësisht politikës

Ndryshimet politike nuk duhet të ndikojnë në punën e policisë e cila duhet të jetë zbatuese e ligjit pa asnjë ndikim. Porosia për drejtuesit e qarqeve vjen nga vetë Ambasadori në detyrë i OSBE-së Robert Wilton gjatë një seminari për diversitetin tek uniformat blu.“Ka ndodhur një ndryshim i madh, ka pritshmëri të mëdha. Por kjo është gjithashtu një kohë gjatë së cilës unë besoj se institucionet e vendit po tregojnë profesionalizmin e tyre përmes vijueshmërisë. Ndërsa politikanët ndryshojnë, u takon institucioneve të vendit të ruajnë stabilitetin, shtetin e së drejtës dhe standardet profesionale, nëpërmjet aftësive dhe profesionalizmit të tyre.Kemi parë kohët e fundit në Shqipëri shembuj të sfidave në shoqëri lidhur me këtë parim themelor të barazisë. Kemi parë në Shqipëri diskriminim kundër një komuniteti minoritar. Kemi parë racizëm në sferën publike kundër një komuniteti minoritar. Në trajtimin që i bëhet komuniteteve minoritare, në trajtimin që i bëhet komunitetit LGBT, ne ende duhet të luftojmë; ende duhet që në institucionet publike, veçanërisht në polici, të punojmë gjithmonë e më fuqishëm, çdo ditë, për të pranuar këtë barazi themelore dhe për të mbështetur këto komunitete.  Sjellja diskriminuese nga policia rrit krimin në komunitete të tëra dhe u mohon atyre drejtësinë” ka theksuar ambasadoriI pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj i cili u shpreh se policia ka bërë hapa të rëndësishëm për promovimin e vlerave të diversitetit dhe të barazisë gjinore.“Vlerësoj që trajnime të tilla do të vlejnë për të shkëmbyer praktikat që kanë të bëjnë me diversitetin dhe barazinë gjinore. Në policinë e shtetit janë bërë hapa të rëndësishmë për promovimin e vlerave të diversitetit dhe të baragjisë gjinore ku mund të përmendet krijimi i një strukure të veçantë për diversitetin. Në polici tani kemi 11 përqind të përfaqësimit të femrave në polici. Në këtë proces për të rritur numrin e femrave në polici është bërë një punë e madhe për përmirësimin e kuadrit ligjor. Policia e shtetit ka bërë shumë për eleminimin e barrierave diskriminuese” u shpreh Burgaj.OSBE nisi një  trajnim rajonal  një javor për drejtuesit e policisë në çështje të diversitetit, barazisë dhe gjithëpërfshirjes.