20 km korsi më shumë për biçikleta, Lulzim Basha lançon projektin e Bashkisë
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare pa makina, e cila synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre, të cilat emëtojnë lëndë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtje të mjedisit.
Në këtë kuadër, në kryeqytet Bashkia e Tiranës organizoi një shëtitje me biçikleta tek Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", ku mori pjesë edhe kryebashkiaku Lulzim Basha.
Në fjalën e tij, Basha u shpreh se Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur ndërtimin e 7.3 km rrugë të reja për biçikletat anembanë qytetit ndërsa po shtriet rrjeti për korsi biçikletash."Sot është dita ndërkombëtare pa makina. Edhe në Tiranë ashtu si edhe në qytete të tjera një numër i madh qytetarësh kanë lënë makinat dhe kanë marrë biçikletat. Bashkia e Tiranës ka ndërtuar 7.3 km rrugë të reja biçiklete anembanë qytetit. Gjithashtu do shtrihet rrjeti i korsive të dedikuara për biçikletat. Këto korsi shtojnë sigurinë për qytetarët gjatë ditës me trafik. Përsëris thirrjen për autoritetet që të gjitha automjetet që zënë korsitë e biçikletave të largohen menjëherë. Siç kemi nisur të shtrojmë rrugët e biçikletave, do të përparojmë në synimin tonë për një qytet të gjelbër dhe të shëndetshëm" tha Basha.Kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës po punon për të bërë të mundur që lëvizja e qytetarëve të Tiranës të përafrohet me standartet europiane”.“Do të investojmë edhe për 6 impiante për këmbësorët si dhe përmirësimin e 6 kryqëzimeve ku do të zgjerohet rrezja e kthesës”, tha Basha.Çdo vit me 22 shtator, njerëzit nga gjithë bota bashkohen në rrugë dhe lagje për t’iu përkujtuar njerëzve se nuk duhet të pranojmë të bëhemi shoqëri e dominuar nga makinat. Për më tepër, në vitin 2007, në më shumë 2000 qytete nga 35 shtete të ndryshme kanë shënuar këtë ditë me qëllim që të kontribuojnë në inkurajimin e qytetarëve të përdorin forma tjera alternative të transportit.