Shehu përshëndet fitoren: Bravo Merkel, përsëri Kancelare, për të tretën herë
Ish deputeti demokrat Tritan Shehu ka mirëpritur fitoren e mandatit të tretë nga kancelarja Angela Merkel në zgjedhjet e mbajtura këtë të dielë. Pas publikimit të të dhënave të para, Shehu e shpreh kënaqësinë e tij në Fb për fitoren e politikave të Qendrës së Djathtë aty, pavarësisht se si do të jetë koalicioni i ardhshëm.“Bravo znj.Merkel, përsëri kancelare, për të tretën herë! Urime Gjermanisë! Fitore e shkëlqyer e CDU-së gjermane. Menjehere mbas fitores së CSU-së në Bavari. Pra, fitore e politikave të Qendrës së Djathtë aty, pavarësisht se si do të jetë koalicioni i ardhshëm” shkruan ai.Duke e lidhur fitoren e Merkel me zhvillimet në vendin tonë, Shehu shprehet se konsolidimi i Merkelit dhe i Gjermanisë ka qënë dhe do të vazhdojë të jetë thelbësor edhe në aspiratën e vendit tonë për integrimin në BE.“Kjo fitore është shume e rëndësishme për zhvillimin e atij vendi të madh dhe për forcimin e mëtejshëm të BE-së.Kjo fitore influencon shumë pozitivisht për tejkalimin e krizës ekonomike dhe për thellimin e mëtejshëm të adezionit të BE-së. Shqipëria nesër do të jetë kandidate për në BE-së dhe në këtë rrugë, konsolidimi i Merkelit e i Gjermanisë ka qënë dhe do të vazhdojë të jetë thelbësor”përfundon ai.