Sherri i Sarandës “vjen” në Tiranë, policia parandalon tentativën për vrasje
Policia e kryeqyteti ka mundur të parandalojë mbrëmjen e sotme një vrasje në Tiranë. Efektivët e komisariatit numër 2 kanë kapur në flagrancë Edmond Abazin, me një pistoletë pa leje, teksa priste shtetasin Pëllumb Alushi të dilte nga banesa në zonën e njohur si “Komunë e Parisit”, për ta qëlluar me armë.Burime nga blutë e Tiranës bëjnë me dije se konflikti mes dy personave kishte nisur në Sarandë në datën 17 gusht, për të vijuar më pas në kryeqytet. Mësohet se i arrestuari është konfliktuar me thika në Sarandë me Pëllumb Alushin, për arsye ende të panjohura.Pas këtij konflikti, Alushi ishte transferuar në Tiranë, për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme me Abazin. Por ky i fundit pasi ka mësuar vendndodhjen e tij, ka udhëtuar drejt Tiranës me qëllimin për ta vrarë.Ndërkaq policia e Tiranës ka shoqëruar në komisariat shtetasin Abazi, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.