Beqaj “shemb” ndërtimet pa leje: Brenda 100 ditësh, asnjë biznes në oborrin e QSUT

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, në daljen e tij të parë në media në këtë detyrë, zhvilloi një inspektim në shërbimin e kardiologjisë në QSUT. Shqetësimet e pacientëve në këtë shërbim por dhe në tërësi me spitalet në vend, ministri i ndeshi që në shkallët  e këtij pavioni. Por edhe pasi pa nga afër gjendjen e këtij shërbimi, Ministri Beqja nuk ka bërë të ditur se cilat ishin realisht problemet dhe çfarë është në prioritet për të përmirësuar shërbimin spitalor në vend. Zotimi i parë është ai i çlirimit të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", nga aktivitetet jomjekësore, rezultatet e së cilës do të shihen, sipas ministrit në 100 ditët e ardhshme.Ogerta Manastirliu, është drejtoresha e re e QSUT. Ajo është emëruar në këtë detyrë pas dorëheqjes së paraardhësit, Heldion Bushati."Nga sot Qëndra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ka një drejtuese të re, Ogerta Manastirliun.Me drejtoreshën e re të QSUT-së zhvilluam një vizitë në kardiologji. Qeveria e re ka gatishmëri për të dhënë mbështetje bluzave të bardha për të ushtruar profesionin e tyre. QSUT-ja do të çlirohet nga çdo lloj aktiviteti jospitalor që e kanë pushtuar në teritorin e saj. Jemi të gatshëm që këtë ta zgjidhim brenda 100 ditëve” u shpreh Beqja.Manastirliu më herët ka mbajtur postin e drejtoreshës së shërbimeve sociale në Bashkinë e Tiranës, në kohën kur Z. Rama ishte kreytar i Bashkisë. Në përfundim, Ministri shprehu gadishmërinë e qeverisë për të dhënë mbështetjen maksimale ndaj bluzave të bardha.