Kryesia e PS, Dule nënkryetar i Kuvendit, zgjidhen dhe kryetarët e komisioneve
Kryeministri Edi Rama zhvilloi mbrëmjen e sotme takimin e radhës me kryesinë e Partisë Socialiste. Në mbledhjen e zhvilluar në selinë rozë për rreth 45 minuta me radhë jashtë vëmendjes së kamerave, Kryesia miratoi kryetarët e Komisioneve Parlamentare që drejtohen nga mazhoranca.E ndërsa partia e majtë më e madhe në vend ka në këtë legjislaturë të re drejtimin e 4 Komisioneve Parlamentare, ndërkohë që një i takon aleatit të saj, LSI, Kryesia vendosi me votë unanime që, Fatmir Xhafaj të jetë kryetar i Komisionit të Ligjeve, Arta Dade kryetare e Komisionit të Jashtëm, Eduart Shalsi të jetë kreu i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Erion Braçe kryetari i Komisonit të Ekonomisë.Kryesia e PS pritet që në një mbledhje tjetër të vendosë për kryetarin e Komisionit të Sigurisë, nëse do ia japë LSI apo ndonjë aleati tjetër. Po kështu në mbledhje u vendos që kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, të jetë nënkryetari i Parlamentit.Mbledhja e sotme vjen një ditë pasi kryesocialisti Rama zhvilloi një takim informal në Durrës me anëtarët e Kryesisë së PS dhe disa nga krerët e bashkive të majta në vend. Takimi nisi rreth orës 21:00 dhe zhvillua pa praninë e mediave në një hotel privat tek “Shkëmbi i Kavajës”.Në takim ishin te pranishëm, zv/kryeministri Niko Peleshi, deputetët Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Blendi Klosi, Mimi Kodheli dhe Taulant Balla, si dhe kryebashkakët e Durrësit dhe Elbasanit, Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini.