AKIP përshëndet vendimin e qeverisë për ndalimin e importit të mbetjeve

Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka përshëndetur vendimin e qeverisë “Rama” për ndalimin e importit të plehrave në vend.Në një deklaratë për mediat, Ambientalistët vlerësojnë rëndësinë që i ka dhënë qeveria e re këtij problemi duke e bërë një nga aktet e para të marra prej saj."Është gëzim i madh për ne përfaqësuesit e 60 mijë shqiptarëve që firmosën kërkesën për referendum për të ndaluar importin e mbetjeve. Vullneti i shqiptarëve u bë realitet. Akti realizon një premtim të rëndësishëm elektoral duke rritur besueshmërinë tek publiku, por është dhe një fitore për shoqërinë jetën dhe ambientin ku jetojnë qytetarët shqiptarë" theksuan përfaqësuesit e AKIP-it.Sipas AKIP ndalimi i importit të plehrave do të sjellë rritje të industrisë së riciklimit dhe të punësimit.“Do të kursehen shpenzime për qindra njerëz në administratë. Do të kursehet tokë që do të duhej për të akomoduar mbetjet teknologjike të importit. Besojmë dhe shpresojmë se projektligji do të gjejë një konsensus të gjerë në Parlament” theksuan ambjentalistët.AKIP iu përgjigj edhe deklaratave të kompanive të riciklimit që pas ndalimit të importit të plehrave ata do të falimentojnë.“Kompanitë e riciklimit nuk falimentojnë por riciklimi do të marrë një hov të ri, pasi do të gjenerohen dhe përpunohen mbetjet e vendit tonë” theksuan ambjentalistët.Në mbledhjen e parë të qeverisë, kryeministri Edi Rama mori vendimin për ndalimin e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë.