Shkodër atentati ndaj ish-policit, hetimet mbi pistën e konflikteve për detyrën

5 persona janë shoqëruar si dëshmitarë të ngjarjes së djeshme në Shkodër, ku makinës së Kujtim Çardakut, ish efektiv i policisë iu vendos eksploziv. Hetimet për ngjarjen po drejtohen nga vetë kreu i Prokurorisë së Shkodrës Besnik Cani, ndërkohë që grupi hetimor është mbledhur me drejtues të policisë për të çuar në zbardhjen e autorëve të këtij krimi.Nga grupi hetimor bëhet e ditur se Çardaku sapo ishte kthyer nga Lezha, ndërsa blutë e Shkodrës i kanë shtrirë hetimet më tej për këtë rast, duke parë gjithë të kaluarën e ish-efektivit të policisë kriminale dhe kan nisur hetimet në disa pista njëkohësisht. Pista kryesore mbetet ndonjë konflikt i mundshëm i Çardakut për shkak të detyrës në Lezhë.Gjithashtu po hetohet për ndonjë konflikt të mundshëm të tij gjatë kohës që ushtronte detyrën në policinë kriminale në Shkodër. Megjithatë, deri më tani nuk dihen ende shkaqet zyrtare të shpërthimit apo lënda plasëse, e cila është përdorur, por dyshohet të ketë qenë C4 dhe gjithashtu dyshohet se shpërthimi është kryer me eksploziv të telekomanduar.Shpërthimi ndodhi rreth orës 18:45 të së hënës me 16 shtator përballë hotel "Rozafa". Kujtim Çardaku aktualisht punonte si nëpunes civil në policinë e Lezhës, ndërkohë që ka qenë dhe ish-efektiv i policisë kriminale në qytetin e Shkodrës.Për pasojë Kujtim Çardaku mori plagë të rënda dhe u dërgua për ndihmë në spitalin e Shkodrës. Ngjarja e një ditë më pare ngjalli frike dhe panik në Shkodër, për shkak edhe të lëvizjes se madhe të banorëve gjatë atij orari.