Nishani për heqjen e fotos: Sforcim për të më kthyer në kundërshtar politik

Zëvendësimi me Ismail Qemalin në muret e zyrave shtetërore nuk i ka pëlqyer aspak Presidentit të Republikës Bujar Nishani. Madje kreu i shtetit e ka përkufizuar vendimin e qeverisë si të padëgjuar në histori.“Në fakt është e padëgjuar më parë që një kryeministër ta nisë punën e tij me heqjen e fotos së presidentin, nuk ka ndodhur në asnjë vend, s’duhet të ndodhë, nuk është serioze, heqja e fotos nuk është punë, është xhest dhe si i tillë nuk kërkon angazhime, është i kollajtë, nuk kërkon lodhje, fantazi, inteligjencë, dhe presidenti i republikës pret të bëjë punën dhe jo xhestet. Kushtetua e vendit përcakton që presidenti është kreu i shtetit dhe në republikën kushtetuta ia ngarkon presidentit përfaqësimin e unitetit të popullit, s’ka diskutim që Ismail Qemali është kontributor jashtëzakonisht i madh i pavarësisë, por historia është histori dhe serioziteti i shtetit është seriozitet. Kushtetuta do të mbrohet më cdo rast, por sforcimi për ta vënë presidentin përballë si kundërshtar politik nuk janë të shëndetshme në demokraci, shqiptarët kanë nevojë për bashkim, punë, zhvillim ekonomik. Presidenti do të jetë në shërbim të unitetit të popullit, mbrojtjes së kushtetutës” tha Nishani.Veprimi i Ramës por nga ana tjetër dhe reagimi i Nishanit nxjerrin në pah tensionin e akumuluar në marrëdhëniet aspak idilike mes mazhorancës së re dhe Presidenit të zgjedhur nga mazhoranca e vjetër në krye të shtetit.Çështja e portretit duket se do të shërbejë si një motiv për të ndezur marrëdhëniet mes Ramës dhe Nishanit që u dukën sikur ranë në shtratin e tyre, normal momentin e dekretimit të kabinetit qeveritar.