Meta: Konferenca e Pezës duhet të na shërbejë të gjithëve

Në fshatin Pezë e Madhe të Tiranës është përkujtuar sot 71- vjetori i Konferencës së Pezës.Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe Kryetari i Parlamentit Ilir Meta i cili ka theksuar se Konferenca e Pezës duhet t`u shërbeje të gjithëve.“Pezë do të thotë bashkim. Pezë do të thotë atdheu  mbi të gjitha  dhe kushtrimi që vjen sot pas kaq dekadash, nga Konferenca e Pezës e 16- shtatorit të vitit 1942 duhet të ligjërohet  nga të gjithë, duhet t’ia transmetojmë edhe brezave që vijnë. Pra, bashkim dhe bashkëpunim edhe brezave që vijnë pa dallim feje, krahine dhe ideje në interes ë atdheut, në interes të kombit” u shpreh Meta.Meta është në lidhje me vendimin e djeshëm të qeverisë së re për heqjen e fotografisë së presidentit Nishani nga institucionet dhe zëvendësimin e tij me foton e Ismail Qemalit për të cilin theksoi:“Kjo nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje. Fakti që do të jetë një figurë themeluese e shtetit shqiptar, siç është figura e Ismail  Qemalit i cili është një mesazh bashkimi. Mendoj se të gjithë duhet ti mbajmë të gjalla idealet e Konferencës së Pezës, patriotëve shqiptar, komunistëve, nacionalistëve të asaj kohe të cilët kapërcyen diferencat e tyre në emër të interesit të madh, të lirisë së atdheut dhe progresit shoqëror” tha Meta.Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi, veteranë, deputetë, si dhe personalitete të ndryshme të vendit.Konferenca e Pezës njihet si përpjekja e parë madhore për unifikimin e faktorit shqiptar, duke e renditur vendin përkrah koalicionit botëror anti-fashist. Platforma kryesore e konferencës ishte bashkimi i shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje në frontin nacionalçlirimtar.