Basha: Rama, strategji tensioni me opozitën
Ndërkohë që Qeveria e re e kryeministrit Edi Rama, bënte betimin përpara presidentit të Republikës, në selinë blu, kryetari i Partisë Demokratike, ka dalë në një deklaratë për mediat, në lidhje me kërcënimin që i ka bërë kryeministri I ri Edi Rama, opozitës në parlamentin shqiptar, gjatë replikave mbi diskutimin për programin e qeverisë së re.“Kërcënimet e sotme në Kuvend kundër opozitës nuk mund të mos na kujtojnë se zoti Rama është recidivist me historitë e tij të njohura të dhunës në familje, të dhunës në bashki, të dhunës kundër institucioneve dhe punonjësve të shtetit”, deklaroi Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në konferencën për shtyp.Ai shtoi se “Vjedhja e dhunshme e votave nga Partia Socialiste në qarkun e Lezhës në zgjedhjet e fundit, frymëzuar prej tij, është projeksioni i natyrës së tij”.Basha ftoi të nderohet Parlamenti, të cilën e cilësoi “Shtëpinë e përbashkët të përfaqësuesve të popullit”, duke hequr dorë njeherë e përgjithmonë nga gjuha e mllefit dhe kërcënimeve, me të cilën nuk kemi asnjë shans të shkojmë në Europë.“Në të kundërt do të përballeni me pasoja që mund ti merrni vetë me mend”, tha ai.“Nuk kisha ndërmend të dilja në këtë konferencë shtypi pas votëbesimit të qeverisë; mendimet e mia për debatin parlamentar i bëra publike pak para përfundimit të seancës.Por zoti Rama ,ashtu siç e nisi me provokime të ulta, u kujdes edhe ta mbyllte me një kërcënim pa precedent në adresë të opozitës deputimin e tij në foltoren e Kuvendit, duke hequr maskën e dëgjuesit të duruar dhe duke dalë para opozitës, publikut dhe të vetëve ai që njohim, ai që është, ai që nuk ndryshoi dot as duke kaluar pragun e tempullit të Kuvendit: I dhunshëm! Ushtrues i pashërueshëm i dhunës verbale, që është motra binjake e dhunës fizike.Deri sot, asnjë kryeministër në historinë e demokracisë sonë parlamentare nuk ishte dëgjuar t’i thoshte opozitës së tij: Pretenduat se ushtrova dhunë. Ju s’keni pare asgje akoma…E gjithë kjo në përfundim të një debati që hyri në hullinë e normalitetit falë përkushtimit të opozitës për të përmbushur misionin e saj dhe gjithë deputetëve që thanë fjalën e tyre sovrane në foltoren e Kuvendit.Zoti Rama nuk paska qenë duke dëgjuar me veshin e arsyes oponencen tonë në funksion të përmirësimit të programit të tij, siç shpresuam ne, por paska qenë duke u mbushur e duke i dhënë formë mllefit të tij teksa nuk arrin të durojë oponencën dhe kundërshtimin sy ndër sy,parlamentarizmin.Kërcënimet e sotme në Kuvend kundër opozitës nuk mund të mos na kujtojnë se zoti Rama është recidivist me historitë e tij të njohura të dhunës në familje, të dhunës në bashki , të dhunës kundër institucioneve dhe punonjësve të shtetit. Vjedhja e dhunshme e votave nga Partia Socialiste në qarkun e Lezhës në zgjedhjet e fundit është frymëzuar prej tij, është projeksioni i natyrës së tij.Kërcënimi i tij i sotëm i stilit më të vjetër kundër opozitës nuk është një shpërthim i rastit. Zoti Rama ka mashtruar zgjedhësit. Mashtrimet e tij elektorale do të thellohen si mashtrime qeverisëse.I vetëdijshëm për ketë, i vetëdijshëm se nuk mund të ofrojë Rilindjen që ka premtuar, ai mendon se mund të kënaqë zgjedhësit dhe publikun shqiptar duke ofruar një strategji tensioni me opozitën, duke kërcënuar opozitën, duke bërë testin e dhunës verbale, si paralajmërim të dhunës tjetër. Që tu thotë votuesve: rroga, mirëqënie e çfarë u premtova tjetër s’kam ku të marr, por opozitës do t’ja bëj njërën.Gabon rëndë, zoti Rama.Gabon rëndë sepse populli, sido të votojë, vetëm këtë nuk e pranon, që të dhunohet opozita e tij, pasi e konsideron opozitën vlerë të pazevendësueshme të demokracisë.Gabon rëndë sepse Partia Demokratike dhe opozita e qendrës së djathtë në Shqipëri është një kockë e fortë, e pathyeshme. Kjo opozitë është pagëzuar e tillë dy dekada më parë në betejën me rregjimin me të egër komunist në Europë dhe qëndron duke u përtërirë në këtë katedër të lartë të guximit dhe vendosmërisë për t’i sherbyer demokracisë.Ju bëj thirrje të tërhiqni mënjeherë kërcënimin ndaj opozitës zoti Rama.Ju ftoj të kërkoni ndjesë para publikut.Parlamenti është shtëpia e përbashkët e përfaqësuesve të popullit. Ju ftoj ta nderoni atë duke hequr dorë njeherë e përgjithmonë nga gjuha e mllefit dhe kërcënimeve, me të cilën nuk kemi asnjë shans të shkojmë në Europë.Në të kundërt do të përballeni me pasoja që mund ti merrni vetë me mend”, u shpreh Basha.