Basha uron nxënësit për vitin e ri shkollor: Do të vendosim standarte europiane në shkolla

Kryebashkiaku Lulzim Basha u ka uruar një vit të mbarë dhe të suksesshëm të gjithë  nxënësve të kryeqytetit që nisën vitin e ri shkollor.  Urimin e tij zoti Basha e përcolli sot nga gjimnazi “Sami Frashëri” shkollë në të cilën ka mësuar edhe vetë. Krahas urimit kryebashkiaku  Basha ka shprehur angazhimin e tij për të vendosur standartin europian në shkollat, kopshte dhe çerdhet e Tiranës.

“Jam kthyer me kënaqësi të madhe në gjimnazin ku kam studiuar vetë, një nga gjimnazet më të njohura në historinë e arsimit shqiptar dhe më të mira gjimnazin “Sami Frashëri”. Me këtë rast dua t’ju uroj të gjithë nxënësve të këtij gjimnazi, trupës pedagogjike, drejtoreshës, një vit të mbarë dhe të suksesshëm. Sikundër dua t’ju uroj të gjithë nxënësve të kryeqytetit, nxënësve anembanë Shqipërisë, prindërve të tyre, një vit të mbarë dhe të suksesshëm arsimor. Bashkia e Tiranës edhe këtë vit ka marrë masat për të hedhur një tjetër hap cilësor në raport me  infrastrukturën  arsimore.

Natyrisht nevojat vijnë gjithmonë e në rritje, edhe për faktin sepse numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare edhe të mesme, sikundër në kopshte dhe çerdhe ka ardhur duke u rritur edhe për faktin se është vetë natyra jonë që të kërkojmë standarde më të larta vit pas viti, natyrisht duke u matur me objektivin tonë të standardit europian në shkolla. Në këtë drejtim Bashkia e Tiranës po investon si për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, meremetimin e atyre ekzistuese, dhe pajisjen me infrastrukturën e plotë me palestra, me kabinete, me laboratorë dhe aktualisht  po investohet dhe do të investohet në ndërtimin e 9 palestrave të reja anembanë qytetit të Tiranës dhe 25 laboratorëve, për të bërë të mundur pra një cilësi më të lartë në mësimdhënie.  Edhe një herë nga zemra dua t’ju uroj të gjithë nxënësve të kryeqytetit, të shkollave 9-vjeçare, të shkollave të mesme, si dhe vogëlushëve nëpër çerdhe dhe kopshte: Vit të mbarë arsimor! I njëjti urim vlen edhe për prindërit e tyre’’-u shpreh  Basha. 

Ndërkohë drejtoresha e kësaj shkolle Julinda Bllaca u shpreh se ky gjimnaz do të zhvillojë mësimin me dy turne pasi ka një numër të lartë të nxënësve.

Me buxhetin e vitit  2012 Bashkia e Tiranës ka realizuar dhe ka në proces rikonstruksionin e 8 kopshteve dhe ndёrtimin e 4 kopshteve  të rinj, rikonstruksionin e 6 shkollave 9- vjeçare dhe ndёrtimin e 4 shkollave tё reja, rikonstruksionin e 2 shkollave tё mesme dhe ndërtimin e 1 shkolle  tё re. Do tё ndёrtohen 9 palestra tё reja dhe  do tё rikonstruktohen  ato ekzistuese. Do tё  shtohen 25 laboratorё tё rinj.

Do të instalohet sistemi i ngrohjes në 20 objektet që rikonstruktohen dhe në 9 objektet e reja që do të ndërtohen.  Në buxhetin afatmesëm 2013–2015, parashikohet rikonstruksioni i 4 kopshteve dhe  ndёrtimi i 6  të rinjve (kopësht i integruar), rikonstruksioni i 14 shkollave 9-vjeçare dhe ndёrtimi i 3 objekteve tё reja, rikonstruksioni i 1  shkolle tё mesme dhe  ndёrtimi i 2 objekteve tё reja, do tё ndёrtohen 5 palestra tё reja dhe  do tё  shtohen 34 laboratorё tё rinj.  Instalimi i sistemit të ngrohjes do të realizohet në 15 objektet që rikonstruktohet dhe në 10 objektet e reja që do të ndërtohen.

  të gjithë vendin janë ulur në bankat e shkollës 40 mijë nxënës për herë të parë ndërkohë që gjithsej kanë hyrë në shkollë rreth 600 mijë nxënës.

 

 Urimi i Nishanit

Presidenti Bujar Nishani uroi një ditë më parë vitin e ri shkollor, duke bërë thirrje për më shumë cilësi."Pavarësisht nga koha që kalon, stinët që ndërrohen, qeveritë që ikin e vijnë dhe parlamentet që ja lenë vendin njëri-tjetrit, qëllimi i shkollës, thelbi i saj, mbetet i njëjtë; Zotërimi i dijeve dhe edukimi. Me pikësynimin e vazhdueshëm që ato dije dhe ai edukim të bëhen në përputhje me individualitetin e secilit, aftësitë e secilit, talentet e secilit, me shpirt përgjegjësie dhe besim në të ardhmen për të mirën e vetes dhe të shoqërisë", thuhet në mesazhin e Presidentit.Sipas kreut të vendit, shkollimin serioz, dijet e rrënjosura, edukimin e qëndrueshëm, i kemi të domosdoshme për shumë arsye."Për të kualifikuar si duhet ndërtuesit e ardhmërisë sonë; për të kultivuar dhe rrënjosur vetëdijen kombëtare, atdhetare, patriotike; për të ruajtur dhe pasuruar vlerat njerëzore dhe qytetare; për të shpërndarë dhe rrënjosur kulturën e dialogut, mirëkuptimit, paqes; për t’i vënë fre efekteve shkatërruese të rendjes së papërmbajtur drejt materialitetit; për të penguar dëmin e pallogaritshëm të emigrimit të trurit; për t'u bërë pjesë e familjes së shkolluar europiane, me dinjitet, me kokën lart", shprehet kreu i shtetit.