Merr fund lufta tregëtare Kosovë-Maqedoni, hiqet taksa nga Shkupi

Merr fund lufta tregtare disa ditore mes Kosovës dhe Maqedonisë. Qeveria e Maqedonisë pasdite hoqi masën e ndalesës së importit të prodhimeve të miellit, duke i hapur rrugë tejkalimit të krizës.Lajmin e ka konfirmuar zv/kryeministri Hajredin Kuçi. Detaje ka dhënë në Twitter zv/kryeministrja tjetër, ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari - Lila, e cila ka shkruar se Qeveria e Maqedonisë ka vendosur të heqë barrierën për miellin e Kosovës në mesnatën ndërmjet 14 dhe 15 shtatorit.Kuçi ndërkaq ka thënë se gjendja do të kthehet në pikën zero dhe se rol të rëndësishëm në këtë ka pasur edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.Vendimi qeveritar pritet të hyjë në fuqi nesër në mesnatë, ndërsa pas kësaj Qeveria e Kosovës pritet të heqë embargon e plotë për prodhimet e Maqedonisë.Me vendimin e Qeverisë së Shkupit hapet rruga e importit të prodhimeve të miellit edhe nga Kosova, një problematikë që nxiti vendimin e palës kosovare për vendosjen e ndalesës për një pjesë të prodhimeve maqedonase, që çoi më pas në vendimin reciprok nga Shkupi me aplikimin e taksës hyrëse për qytetarët e Kosovës.Me thellimin e krizës tregtare, Qeveria e Kosovës në fillim të javës vendosi embargo totale për prodhimet e Maqedonisë, një vendim që dëmton rëndë ekonominë e Maqedonisë, e cila eksporton mbi 300 milion euro në vit prodhime dhe mallra në Kosovë.Deri në fund të javës pritet t`i jepet fund krizës tregtare dhe të lëvizjes së lirë midis Kosovës dhe Maqedonisë. Njëkohësisht edhe shoqata e transportuesve maqedonas MAKAMTRANS pritet të vendosë heqjen e barrikadave.