Embargoja, vijon bllokimi në pikat kufitare Kosovë-Maqedoni
Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar të gjithë qytetarët e saj se situata e krijuar me vendosjes së taksës për qytetarët e Kosovës nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë ende mbetet e pandryshuar. Pala maqedonase ende nuk e ka hequr taksën për shtetasit kosovarë, të cilët duan të shkojnë në Maqedoni. Taksa mbetet e njëjtë edhe për automjete transportuese dhe autobusë, thuhet në një komunikatë të lëshuar për mediat nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.Qytetarët e Republikës së Kosovës mund të kalojnë kufirin vetëm në këmbë, derisa rruga e bllokuar në anën maqedonase nga disa mjete transportuese ende nuk është zhbllokuar nga autoritetet e Qeverisë së Maqedonisë.“Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë mbetet e përkushtuar dhe shpreh vullnetin e mirë për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës së krijuar andaj dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase. Megjithatë, deri më tani përkundrejt angazhimit maksimal, ende nuk ka zgjidhje të situatës. E ritheksojmë faktin se heqja e menjëhershme e të gjitha pengesave të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe barrierave tregtare nga Qeveria e Maqedonisë do të rezultojë me heqjen e menjëhershme të bllokadës së importit për produktet maqedonase nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në fund të kësaj komunikate.Sipas informacioneve nga Shkupi, qeveria e vendit fqinj do të mblidhet sot në orën 17:00 për të diskutuar për këtë problem dhe zgjidhjen e tij.Njoftohet gjithashtu se ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë së Maqedonisë, Valon Saraçini ka porositur Kosovën që së pari ajo të heqë kufizimet për mallrat me prejardhje nga Maqedonia e pastaj edhe vendi fqinj do të kthejë regjimin e mëparshëm të kalimit të kufirit e të mallrave.