Kufiri Kosovë-Maqedoni, ende asnjë marrëveshje mes dy qeverive
Qeveria e Maqedonisë thotë se po punohet intesivisht për normalizimin e raporteve tregtare me Kosovën. Sipas saj, autoritetet e dy vendeve janë në kontakt të vazhdueshëm dhe po shqyrtojnë mundësitë për anulimin e vendimeve për taksat rrugore për shetetasit e Kosovës dhe për prodhimet maqedonase për tregun kosovar. Qeveria në Shkup vlerëson se zgjidhja mund të arrihet me heqjen e njëkohshme të vendimeve nga të dyja shtetet.Telashet mes dy vendeve kanë nisur që në korrik, kur Shkupi vendosi embargo për import të miellit dhe grurit nga shtetet anëtare të CEFTA-s, e cila kishte afat 3 muaj.Por, pas skadimit të këtij afati, Maqedonia nuk hoqi embargon dhe Qeveria e Kosovës iu kundërpërgjigj kësaj mase me vendosjen e embargos ndaj disa produkteve të qumështit të prodhuara në shtetin fqinj.Problemet u shkallëzuar më tej pasi Shkupi vendosi një taksë rrugore nga e diela e kaluar, që irritoi Prishtinën, e cila 24 orë më vonë i mbylli komplet kufijtë për të gjitha prodhimet maqedonase, duke u shkaktuar të paktën 1 milion euro humbje në ditë kompanive maqedonase që eksportojnë në Kosovë.Qeveria në Prishtinë ka këmbëngulur se nuk do të hapë kufirin për mallin e prodhuar në Maqedoni, derisa ky shtet të kthejë gjendjen në normale dhe të mos e pengojë tregtinë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, që u krijua me masat e reja administrative maqedonase.Ndërkohë, në vendkalimin kufitar në Bllacë, shtetasit e Kosovës vazhdojnë të paguajnë taksa për të hyrë në Maqedoni: 2 euro për person, 5 euro për automjetete. Por, ata kufirin e kalojnë në këmbë për shkak të bllokadave të transportuesve maqedonas, të cilët kanë ndërmarrë këtë masë në shenjë proteste ndaj vendimeve të të dyja vendeve.