Embargoja, Thaçi kërkon zgjidhje të shpejtë të problemit me Maqedoninë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë thirrje që të zgjidhet sa më shpejt situata e krijuar në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Ai ka thënë para kabinetit qeveritar se situata të tilla nuk i japim imazh të mirë as Kosovës as Maqedonisë, prandaj ka kërkuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari që të punojnë për zgjidhjen e këtij problemi brenda 24 orëve.Kabineti qeveritar ndërkohë, aprovoi marrëveshjet e arritura në Bruksel për telekomunikacionin dhe energjinë.Thaçi tha se Kosova e ka biseduar edhe me kryeministrin e Maqedonisë, ku është shprehur shqetësimi për këtë situatë të krijuar, ndaj edhe kërkoi zgjidhjen e kësaj situate sa më shpejtë që të jetë e mundur.“Jemi dakorduar që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur, të kthehet në gjendjen që ka qenë, kështu që ju ftoj që të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur, natyrisht duke respektuar gjithmonë interesat e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, por duke respektuar edhe standardet evropiane”, tha kryeministri Thaçi.Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregëtisë Mimoza Kusari Lila njoftoi kabinetin qeveritar se situata në kufirin me Maqedoninë vazhdon të mbetet e njëjtë, dhe se sipas saj, deri te kjo situatë ka ardhur për shkak të refuzimit të Maqedonisë për heqjen e masës së ndalesës së importit të miellit.Ndërkohë, kabineti qeveritar aprovoi marrëveshjet e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë takimit të fundit në Bruksel për çështjen e telekomunikacionit dhe energjinë.